Eliza Hoxha fiton çmimin “Joana e Kosovës për Përfshirje Sociale dhe Drejtësi“

7 Shtator, 2023 - 6:34 pm

Eliza Hoxha është shpallur fituesja e Çmimit “Joana e Kosovës për Përfshirje Sociale dhe Drejtësi” nga Festivali Multikulturor, shkruan KultPlus.

Ky çmim njeh një figurë politike që është shembull i përfshirjes sociale dhe drejtësisë në veprimet dhe politikën e tyre.

Fituese e Çmimit “Joana e Kosovës për Përfshirje Sociale dhe Drejtësi” për këtë vit është:

Eliza Hoxha

Eliza Hoxha është personalitet publik në fushën e kulturës, arkitekte me profesion e angazhuar në Fakultetin e Arkitekturës-Universiteti i Prishtinës dhe së fundmi edhe deputete në Kuvendin e Kosovës.

Ajo ka dhënë kontribut të gjerë në fushën e artit dhe kulturës përmes muzikës, fotografisë, ekspozitave, shkrimeve dhe aktivizmit civil. Ka qenë presidente e bordit të Galerisë Kombëtare të Kosovës nga viti 2011-2014. Ka botuar dy libra që trajtojnë zhvillimin urban dhe historikun e Prishtinës.

Në vitin 2018 ajo ka përfaqësuar Kosovën në Bienalen e Veneciasë për arkitekturë. Ndër vite ka qenë pjesë e nismave të shumta që lidhen me grupet e margjinalizuara shoqërore dhe ka kontribuar për to në role të ndryshme, si avokuese, përkrahëse apo edhe duke u bërë zëri i tyre.

Me aktivizmin e saj, Hoxha ka mbështetur nismën për themelimin e qendrës multikulturore, ka mbështetur nismat kundër martesave të hershme për vajzat e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian si dhe avokon mbi çështjen e braktisjes së shkollimit.

Gjithashtu, ka avokuar vazhdimisht për antigjipsizmin edhe në rolin civil dhe vazhdon ta bëjë edhe si deputete e Kosovës.
Hoxha ka përfunduar shkollimin fillor dhe të mesëm në Kosovë e poashtu edhe studimet pesë vjeçare për arkitekturë në Universitetin e Prishtinës. Tutje ka bërë një master të dytë mbi arkitekturën e vendbanimeve në Universitetin Katolik në Luven, Belgjikë. Aktualisht është në përfundim e sipër të studimeve të doktorratës në Universitetin Teknik në Graz, Austri.

Eliza Hoxha është një burim frymëzimi për të gjithë ata që duan të angazhohen në ndryshimin e shoqërisë së tyre për një shoqëri më të mirë. Për shkak të përkushtimit të saj të palodhur dhe ndikimit të saj pozitiv në komunitet, ajo është një figurë e respektuar dhe e admiruar në fushën e përfshirjes sociale në Kosovë dhe përtej saj”, thuhet në postimin e saj. /KultPlus.com

Të ngjajshme