Elon Musk prezanton një hartë për natalitetin në Evropë, Kosova “rekordmbajtësja absolute evropiane”

15 Korrik, 2025 - 2:07 pm



Miliarderi amerikan dhe ish-bashkëpunëtori i Donald Trump, Elon Musk, ka ndarë së fundmi në profilin e tij në rrjetin social X një hartë që tregon situatën e natalitetit në vendet evropiane. Harta, e cila ka ngjallur vëmendje të gjerë në rrjet dhe në media ndërkombëtare, klasifikon vendet sipas numrit mesatar të pritur të fëmijëve për familje, duke nxjerrë në pah një rënie alarmante të lindshmërisë në pjesën më të madhe të kontinentit.

Sipas kategorizimit në hartë, nën 1 fëmijë për familje konsiderohet “shkallë jashtëzakonisht e ulët”, deri në 1 si “shkallë e ulët”, deri në 1.5 si “pamjaftueshme”, deri në 1.9 si “afër shkallës së zëvendësimit”, ndërsa mbi 2.1 fëmijë është “mbi shkallën e zëvendësimit”, që do të siguronte që popullsia të mos bjerë në mënyrë natyrore.

Zona më e kuqe në hartë është Ukraina, me një normë alarmante prej vetëm 1.0, ndër më të ultat në Evropë. Edhe vende si Spanja (1.12), Lituania (1.13) dhe Estonia (1.17) janë ndër më të prekurat nga rënia e lindshmërisë.

Në kontrast me këtë tablo të zymtë, vendet e Ballkanit shfaqen më mirë. Kosova vlerësohet si “rekordmbajtësja absolute evropiane”, me një normë prej 1.9 fëmijë për familje, duke qëndruar në kufijtë e zëvendësimit natyror të popullsisë. Edhe Mali i Zi (1.79), Bullgaria (1.72), Moldavia (1.66), Serbia (1.61) dhe Bosnja dhe Hercegovina (1.58) shfaqin shifra relativisht pozitive në krahasim me pjesën më të madhe të Evropës.

Në Perëndim, Franca është një nga përjashtimet, me një normë relativisht të mirë prej 1.63, që mbetet ndër më të lartat në rajon, ndërsa vendet e tjera si Gjermania dhe Italia vazhdojnë të përballen me rënie të theksuar të natalitetit.

Musk, i njohur për qëndrimet e tij publike në lidhje me rënien demografike si një nga kërcënimet më serioze të shoqërive moderne, ka komentuar edhe më parë mbi rëndësinë e mbështetjes për familjet dhe lindshmërinë. Postimi i tij i fundit ka ringjallur debatin mbi politikat sociale, migracionin dhe të ardhmen demografike të Evropës.

Të ngjajshme