Elon Musk prezanton “Baby Grok”, chatbot-in e parë me inteligjencë artificiale për fëmijë

22 Korrik, 2025 - 11:14 am

Elon Musk, CEO i kompanive SpaceX, Tesla dhe themelues i startup-it të inteligjencës artificiale xAI, ka njoftuar krijimin e një versioni të ri të chatbot-it Grok, të dedikuar posaçërisht për fëmijët: “Baby Grok”, transmeton KultPlus

Përmes një postimi në platformën X (ish-Twitter), Musk shkroi:
“Do të krijojmë Baby Grok, një aplikacion të dedikuar për fëmijë.”

“Baby Grok” pritet të jetë një version miqësor, edukativ dhe i sigurt i Grok-ut chatbot-i i fuqizuar nga AI që Musk e prezantoi më herët përmes kompanisë së tij xAI. Sipas informacioneve të para, ky version do të përshtatet me nevojat e fëmijëve, duke ofruar ndërveprim të kontrolluar, përmbajtje të përshtatur për moshën dhe funksione edukative.

Ky njoftim vjen pak pas lansimit të Grok 4, gjenerata më e avancuar e chatbot-it të Musk, e cila është ndërtuar me teknologji të re trajnimi dhe ofron performancë të përmirësuar në krahasim me versionet e mëparshme.

Musk nuk ka dhënë ende një datë zyrtare për publikimin e Baby Grok, por njoftimi ka ngjallur menjëherë interes, si te përdoruesit, ashtu edhe në komunitetin e teknologjisë dhe edukimit./KultPlus.com

Të ngjajshme