Emrat e viktimave të dhunës në familje vendosen në rrugët e Tiranës

15 Janar, 2022 - 2:30 pm

Aktivistet e “Kolektivit Feminist” ndërmorën një aksion simbolik në përkujtim të grave të vrara nga bashkëshortët e tyre mbrëmjen e së enjtes, duke vendosur emrat e viktimave në njëzet prej rrugëve të Tiranës.

Aksioni i “Kolektivit Feminist” –një grup që synon avancimin e barazisë gjinore në Shqipëri, ka për qëllim nxitjen e reagimit ndaj fenomenit të femicidit.

“Në një shoqëri ku dhuna strukturore dhe patriarkale i shndërron gratë në viktima dhe burrat në kriminelë, e ku krimi justifikohet e për të cilin vazhdimisht fajësohet viktima, reagimi masiv për një transformim rrënjësor është domosdoshmëri,” shkruajnë aktivistet.

Gjatë vitit 2021 janë vrarë 18 gra dhe vajza shqiptare, dyfishi i numrit të vitit 2020.

Sipas gjetjeve të Rrjetit të Fuqizimit të Gruas, AËEN, një në dy vajza ka përjetuar një formë dhune, në familje apo dhunë seksuale, ndërkohë që ky fenomen në 2018 sipas një ankete të INSTAT përfshinte 1/3 e grave.

Krimi më i fundit ndaj grave u shënua në ditët e para të vitit 2022, ku Gjyle Topalli, 40 vjeç, u  vra brutalisht nga ish-bashkëshorti në Vaun e Dejës.

“Në kujtim të secilës që u nda dhunshëm, bashkohemi në përpjekjen e vazhdueshme për një jetë me dinjitet dhe në liri,”, shkruajnë aktivistet në mbrojtje të të drejtave të grave.

Ato shprehen se dhuna me bazë gjinore apo format ekstreme që kanë çuar deri në vrasje, nuk janë çështje private, por ato përbëjnë problematika të thella shoqërore dhe politike.

“Adresimi i këtyre rasteve meriton vëmendje gjithpërfshirëse dhe akte konkrete institucionale që garantojnë drejtësi për viktimat,” thuhet në deklaratë.

“Të sigurohet mbrojtje, siguri e mirëqenie për të mbijetuarat dhe politika sociale që parandalojnë dhunën dhe hapin rrugën për barazi e drejtësi shoqërore,”përfunduan aktivistet e Kolektivit Feminist./KultPlus.com

Të ngjajshme