Rama: Rally Albania, promovim i traditës, kulinarisë fantastike dhe mrekullisë së rivierës tonë

9 Qershor, 2023 - 9:00 am

Rally Albania është kthyer në një nga garat më të rëndësishme dhe tërheqëse të navigacionit shqiptarë, por jo vetëm.

Ngjarja më e madhe ndërkombëtare, e përvitshme e motorsportit shqiptar ka startuar në Velipojë për të vijuar në ditët në vijim në vende të tjera duke  dhuruar spektakël në rrugët e Shqipërisë.

Kryeministri Edi Rama ka publikuar në rrjetet sociale foto nga Rally Albania 2023 që është shndërruar në një nga ambasadorët më të mirë të turizmit shqiptar.

Rama shprehet se Rally Albania 2023, në edicionin e tij të 19-të, me pjesëmarrjen e 22 shteteve duke i rënë qark e tërthorë Shqipërisë, promovon traditën më të mirë, kulinarinë fantastike dhe mrekullinë e rivierës tonë.

Pjesë e këtij aktiviteti janë pilotë vendas e të huaj, 154 mjete, 213 garues dhe 37 skuadra, e organizuar nga Edvin Kasimati dhe Julinda Dhame, pionierët e Albanian Motorcycle Federation e MCA dhe Ambasadorët e Shqipërisë së aventurës.

Këtë vit risia ishte tek kohëmatja e etapave speciale dhe konkretisht me anë të satelitit çdo mjet dhe çdo garues monitorohet me anë te sistemit GPS.

Nga Voskopoja, Vlora, Velipoja, Lezha dhe Dibra të apasionuarit e motorsportit do vijojnë garën drejt Beratit për të përmbyllur sfidën e tyre me një ceremoni të ndarjes së çmimeve të shtunën në sheshin “Nënë Tereza” në Tiranë./ atsh / KultPlus.com

Të ngjajshme