Esat Pashë Toptani: Nuk besoj në krijimin e një shteti shqiptar!

30 Nëntor, 2019 - 1:28 pm

Nga: Aurenc Bebja

“L’Echo de Paris” ka botuar, të martën e 25 marsit 1913, në faqen n°3, intervistën e Esat Pashë Toptanit, dhënë asokohe gazetës greke “L’Acropolis” në lidhje me opinionin e tij mbi krijimin e një shteti të pavaur shqiptar, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Intervistë e Esat Pashës për shtetin e ardhshëm shqiptar

Athinë, 24 mars.

 “L’Acropolis” boton një intervistë me Esat Pashën. I pyetur se çfarë mendon mbi formimin e shtetit shqiptar, ai u përgjigj :

 “Unë mendoj se një shtet i tillë, midis Malit të Zi, Serbisë, Bullgarisë dhe Greqisë, kurrë nuk do të mund të jetojë : mosbindja është diçka e pranishme në mesin e shqiptarëve; ata duan rrëmujën dhe vjedhjen. Si do të mund të jetojë ky popull, me të meta të tilla, të paditur, pa civilizim dhe mysliman ?

 E rrethuar nga elementë të një race dhe feje tjetër midis kombeve të përparuara në civilizim dhe artin ushtarak, Shqipëria është një Turqi e vogël. Kur një Turqi e madhe nuk mundi të jetonte në Evropë, si mund të rezistojë një Turqi e vogël si Shqipëria ?

 Nëse Austria dhe Italia, vazhdoi Esat Pasha, kërkojnë të krijojnë një Shqipëri të pavarur, ato humbin kohën e tyre, por nëse kërkojnë të krijojnë një provincë austro-italiane, atëherë këto fuqi do të mbështesin këtë shtet të vogël, por pa dobi do të kërkojmë në të ardhmen shtetin shqiptar. (Havas) /KultPlus.com

Të ngjajshme