Fakulteti i Edukimit, parakusht për cilësinë e arsimit parauniversitar në Kosovë

18 Maj, 2021 - 4:29 pm

“Kemi arsim cilësor atëherë kur kemi mësimdhënës cilësor”, ishte motoja e raportit hulumtues dedikuar Fakulteteve të Edukimit dhe mësuesisë në Kosovë, përcjellë KultPlus.

Sot, në hapësirën e Kino Armata, organizata ETEA prezantoi të gjeturat kyçe të raportit studimor “Fakulteti i Edukimit si parakusht për cilësinë e arsimit parauniversitar” dhe dokumentarin “Pikënisja e mësuesisë”, financuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri të Hapur (KFOS).

Objekt i këtij hulumtimi ishin Fakulteti i Edukimit në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” dhe ai i Universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren dhe mësimdhënësit që aktualisht ushtrojnë profesionin e mësuesisë në këto dy komuna dhe që kanë përfunduar studimet në këto dy fakultete.

Duke qenë se arsimi cilësor ofron dije vendimtare për zhvillim të mirëfilltë shoqëror, ekonomik dhe politik të çdo vendi, arsimimi dhe edukimi shndërrohen në një nga politikat më të rëndësishme shtetërore. Në zinxhirin e sistemit arsimor, për qëllime të këtij hulumtimi është qendërzuar roli dhe funksioni i Fakultetit të Edukimit si përgatitës i mësimdhënësve që janë bartës të arsimimit dhe edukimit në ciklin parauniversitar të arsimit në Kosovë.

Hulumtuesit e organizatës ETEA, Shkëlqim Berisha dhe Dadan Bujupi fillimisht prezantuan metodologjinë e hulumtimit që është përdorur në raportin studimor e më pas duke prezantuar gjetjet kyçe, kryesisht u bazuan në cilësinë e kushteve të studimit që ofrojnë Fakultetet e Edukimit. Ndër to, më të rëndësishmët që ata përmëndën janë, si vijon:  56.3% e studentëve konsiderojnë që Fakulteti i Edukimit ka përgjegjësi mbi situatën e arsimit parauniversitar bazuar në rezultatet e testit PISA; 23.5% e respondentëve nga Fakulteti i Edukimit të Universitetit të Prishtinës, deklarojnë që obligohen të blejnë librat e shkruar nga vetë profesorët; Fakulteti i Edukimit në Universitetin e Prizrenit “Ukshin Hoti” nuk ka mentor mësimdhënës të certifikuar për të vlerësuar punën e studentit/es gjatë praktikës pedagogjike.

Gjithashtu, u prezantuan edhe të gjetura nga qëndrimet e respondentëve mësimdhënës, ku ndër të tjera, u theksua çështja e përgjegjësisë mbi gjendjen e arsimit parauniversitar. Në pyetjën kërkimorë të hulumtimit se A konsideroni që Fakulteti i Edukimit ka përgjegjësi mbi situatën e arsimit parauniversitar bazuar në rezultatet e testit PISA?” drejtuar respondentëve mësimdhënës, 56.3% ia mvëshin këtë përgjegjësi Fakulteteve të Edukimit, në ndërkohë që në pyetjën se, “sa ata si mëimdhënës ndiejnë përgjegjësi mbi gjendjen e arsimit bazuar në rezultatet e testit PISA?”, vetëm 20% prej tyre pranojnë përgjegjësinë mbi rezultatet e dobëta të nxënësve kosovarë në testin PISA.

Në diskutimin që pasoi prezantimin e të gjeturave, njohësi i çështjeve të arsimit, Jusuf Thaçi potencoi se, jo çdo njeri i aftë mundet me qenë i aftë për mësimdhënës. “Nuk mjaftojnë vetëm kriteret formale, një notë mesatare apo eventualisht rezultatet e testit të maturës që edhe ashtu janë të kontestueshme. Kjo për shkak se profili i mësimdhënësit kërkon edhe profilizim psikologjik edhe në kuptimin e aftësive intelektuale po edhe në kuptimin e cilësive të personalitetit. E këtë fatkeqësisht ne nuk e kemi kuptuar dhe nuk e zbatojmë me rastin e pranimit të studentëve në Fakultete të Edukimit.”, përfundoi ai.

Lidhur me këtë, dekani i Fakultetit të Edukimit në Unversitetin e Prishtinës, Blerim Saqipi, shtoi se, “çështja e pranimit në fakultet nuk duhet të jetë vullnet i një menaxhmenti por duhet të rregullohet me aspekte ligjore, në mënyrë që të ipet më shumë autonomi të vlerësimit të potencialit të studentëve aplikantë. Vendet e mira që e kanë rregullu sistemin e arsimit, shembujt e mirë të fakulteteve ose profesionit të mësuesisë, bëjnë edhe intervistime për të parë orientimin, vullnetin dhe potencialin që kanë studentët. Ne ndoshta nuk mund të kalojmë aty shpejtë por megjithatë duhet të kemi një tranzicion drejt asaj qasjeje.”

Ndërsa profesori i Fakultetit të Edukimit në Universitetin e Prizrenit, Ragip Gjoshi konstatoi se nuk mund të ketë cilësi në arsim me buxhet të vogël dhe me numër të lartë të studentëve. “Unë personalisht propozoj që numri i studentëve në raport profesor-student të zvogëlohet. Asgjë nuk është keq që të regjistrohen vetëm 20 studentë në vit dhe të paguajë shteti 20 profesorë për ata studentë. Pa rritje të buxhetit nuk ka rritje të cilësisë në arsim, le ta harrojnë të gjithë.”

Stafi i organizatës ETEA paralajmëroi thellimin e hulumtimit aktual dhe zgjerimin e tij edhe në Fakultetet e Edukimit në Universitetin e Gjilanit dhe Gjakovës./ KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme