‘Falcone e Borsellino, 30 vite më pas’, konferencë përkujtimore në Tiranë

10 Maj, 2022 - 10:20 am

 “Falcone e Borsellino, 30 vite më pas” titullohet konferenca përkujtimore e mbajtur pasditen e sotme në qendrën kulturore të Katedrales Ortodokse në Tiranë, një organizim nga Ambasada e Italisë, në bashkëpunim me Institutin Italian të Kulturës dhe Ekspertin e Guardia di Finanza-s në Tiranë.

Masakra e Capaci-t dhe ajo e Via D’Amelio-s qenë pika kulmore e sfidës përballë së cilës mafia vendosi institucionet demokratike të Italisë si dhe ngjarjet që tronditën ndërgjegjen e opinionit publik.

“30 vite më pas, është detyrë e jona të mbajmë gjallë kujtimin e viktimave e të nderojmë prokurorët të cilët mbartin vlera të mëdha morale, duke vijuar me përçimin e mësimeve të tyre”, thuhet në njoftimin e ambasadës italianë.

Konferenca përbën një moment reflektimi mbi fenomenin e mafias.

Konferenca “Falcone e Borsellino, 30 vjet më pas” synon të ndërthurë kujtesën dhe aktualitetin në kontrast me fenomenin mafioz kriminal dhe kulturën që e ushqen atë, duke promovuar një pedagogji qytetarie aktive, të bazuar tek idealet dhe parimet frymëzuese të Kushtetutës italiane.

Kujtesa është një akt i plotë marrje përgjegjësie shoqërore kur kthehet në ushtrim të vetëdijshëm të të drejtave dhe praktikë e detyrave të afrimitetit qytetar. Lufta kundër pushteteve kriminale kërkon konsolidimin e urës që bashkon të shkuarën me të tashmen për ta parë të ardhmen si një kohë shprese dhe mundësish të reja kohezioni politik dhe shoqëror. Rrëfimi kthehet në qëndrushmëri kur fjalët e së djeshmes marrin në të tashmen një forcë shprehëse të ripërtërirë duke u shndërruar në shembull dhe model.

Simpoziumi synoi të eksplorojë këto kategori interpretuese përmes një debati shumëzërash, duke u ndalur si në rindërtimin historik të klimës së atyre viteve, ashtu edhe tek strategjitë e mëpasshme të kontrastit rregullator, gjyqësor dhe kulturor të fenomenit kriminal me origjinë mafioze.

Në këtë iniciativë të promovuar nga Ambasada Italiane, në bashkëpunim me Institutin Italian të Kulturës në Tiranë dhe Ekspertin e Guardia di Finanza në Shqipëri, morën pjesë senatori Sandro Ruotolo, Bernardo Petralia ish-prokuror i Përgjithshëm i Gjykatës së Apelit të Reggio Calabria-s, Ignazio Gibilaro gjeneral i Korpusit të Armatës, komandant ndërrajonal i Guradia di Finanza të Italisë Jugore, Gaetano Calogero Paci zëvendësprokuror i Drejtorisë Antimafia të Rajonit Reggio Calabria, Alessandra Camassa kryetare e Gjykatës së Marsala-s, Don Giovanni Battista Tillieci famulltar i San Gaetano Catanoso-s ne Gioia Tauro, Kisha e parë e ndërtuar mbi një terren të konfiskuar ndraghetas.

Gjithashtu, konferenca dëgjoi në lidhje online dëshminë e Salvatore Borsellino-s, vëllait të gjykatësit që u vra nga mafia në masakrën e Via D’Amelio-s.

Diskutimi u moderua nga Giancarlo Costabile, Profesor i Historisë së Edukimit për Demokraci dhe Legalitet pranë Universitetit të Kalabrisë./atsh/KultPlus.com

Të ngjajshme