Fëmijët e “Summer of Talents 2025” përjetojnë një aventurë të paharrueshme në liqenin e Batllavës

8 Korrik, 2025 - 11:00 am

Programi veror edukativo-argëtues “Summer of Talents 2025” ka përmbyllur me sukses javën e parë të aktiviteteve me një ditë të veçantë në natyrë, në brigjet e liqenit të Batllavës.

Aktiviteti kryesor i ditës ishte kayaking-u, i cili u shndërrua në një aventurë emocionuese për fëmijët pjesëmarrës. Përveç lundrimit në kajak, dita ishte e mbushur me aktivitete të ndryshme relaksuese dhe argëtuese buzë liqenit.

Ekipi organizues kishte përgatitur një drekë të shijshme nga skara, ndërsa për fëmijët u organizuan lojëra interaktive dhe aktivitete që përforcojnë bashkëpunimin dhe kreativitetin. “Synimi ynë është që fëmijët të mësojnë përmes përvojës, argëtimit dhe eksplorimit të natyrës. Kjo ditë ishte shembull i përkryer i kësaj filozofie,” thanë organizatorët e programit. Ky aktivitet shënoi përmbylljen e suksesshme të javës së parë të “Summer of Talents 2025”, që ofron një sërë punëtorish, lojërash edukative dhe ekskursionesh për fëmijët gjatë pushimeve verore. Organizatorët kanë paralajmëruar se edhe java e ardhshme do të sjellë surpriza dhe aventura të reja për pjesëmarrësit e programit./ KultPlus.com

https://www.facebook.com/reel/504335186071685

Të ngjajshme