Feminizmi dhe zhvillimi i tij në tri valët e mëdha

3 Tetor, 2019 - 7:00 pm

Gratë kanë qenë ato që gjatë gjithë kohës u është dashur të luftojnë për të drejtat e tyre. Të luftojnë për atë që do të duhej ta kishin e të konsiderohej asgjë më pak e as më shumë se normale.

Feminizmi si frymë ka ekzistuar qysh moti, sepse njeriu është i lindur dhe i prirur të kërkojë e të mbrojë lirinë e vet, kur ajo mirret apo tenton të mirret nga të tjerët pa të drejt, shkruan KultPlus.

Në vijim, KultPlus ju sjell një histori të shkurtër rreth zhvillimit të feminizmit ndër vite.

Charles Fourier, një socialist utopik dhe filozof francez, i njihet merita se ka shpikur fjalën “féminisme” në vitin 1837 [5]. Fjalët “féminisme” (“feminizëm”) dhe “féminist” (“feminist”) për herë të parë u paraqitën në Francë dhe Hollandë në vitin 1872[6], Në Britani të Madhe në vitet 1890ta, dhe në Shtetet e Bashkuara në vitin 1910[7][8], dhe Fjalori Anglisht i Oksfordit e liston vitin 1852 si viti kur për herë të parë u paraqit fjala “feminist”[9] ndërsa vitin 1895 për fjalën “feminizëm” [10].

Varësisht nga momenti historik, kultura dhe vendi, feministet në mbarë botën kanë pasur shkaqe dhe qëllime të ndryshme. Shumica e historianëve feministë nga perëndimi pohojnë se të gjitha lëvizjet që punojnë për të marrë të drejtat e grave duhet të konsiderohen si lëvizje feministe.

Vala e parë e feminizmit ishte një periudhë e aktiviteteve gjatë shekullit të nëntëmbëdhjetë dhe fillim i shekullit njëzetë. Në Mbretëri të Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara, ajo u fokusua në promovimin e barazisë në martesë, rritjen e fëmijëve, kontrata, dhe të drejtat e pronësisë për gratë. Nga fundi i shekullit të nëntëmbëdhjetë, aktivizmi u përqendrua kryesisht në fitimin e pushtetit politik, veçanërisht të drejtën e votimit të grave, edhe pse disa feministe ishin aktive në gjithashtu edhe fushatë për të drejtat seksuale, riprodhuese dhe ekonomike të grave.

Teoria feministe është zgjerimi i feminizmit në fusha teorike apo filozofike. Ajo përfshinë punën në një shumëllojshmëri të disiplinave, duke përfshirë antropologji, sociologji, ekonomi, studime të grave, kritika letrare [20][21], historia e artit [22], psikoanalizë [23] dhe filozofi.

Disa degë të feminizmit nga afër gjurmojnë orientimet politike të shoqërive më të mëdha, të tilla si liberalizmi dhe konservatorizmi, ose të përqëndrohet në mjedis. Feminizmi liberal kërkon barazinë individualiste të meshkujve dhe femrave përmes reformave politike dhe ligjore pa ndryshuar strukturën e shoqërisë.

Në gjysmën e dytë të shekullit të njëzetë, feminizmi e ndryshoi në mënyrë radikale kulturën perëndimore. Mbase asnjë lëvizje tjetër shoqërore nuk ka sjellë ndryshime aq të thella në qëndrimet dhe në moralin shoqëror. Revolucioni dhe çlirimi seksual nënkuptonin se marrëdhëniet seksuale duhej të çliroheshin nga kufizimet e ndërlidhura me virtytin tradicional të krishterë.

Lëvizja për të drejtat e homoseksualëve e përhapi kërkesën për liri në marrëdhëniet seksuale deri tek homoseksualiteti. Pornografia lulëzoi si pasojë e zbutjes së censurimit moral në shtyp, kinema dhe televizion. Standardet e përgjithshme të shijes në të folur dhe sjellje ranë si përgjigje ndaj diktateve të shtypit, kinemasë dhe televizionit. Lidhjet familjare u dobësuan dhe numri i divorceve u rrit. Në vendet skandinave është vlerësuar se afërsisht gjysma e foshnjave lindin nga nëna beqare.


“Vala e dytë” i referohet periudhës së aktivitetit për të drejtat dhe liritë e grave nga fillimi i viteve 1960 deri në fund të viteve 1980.
“Vala e dytë” e feminizmit vazhdon të ekzistojë dhe tani, dhe bashkëjeton me atë që quhet “vala e tretë” e feminizmit. Studiuesja Friedman, duke krahasuar “valët e para dhe të dyta” të feminizmit, thotë se “vala e parë” u përqëndrua në çështje të tilla si votimi, ndërsa “vala e dytë” kryesisht merrej me çështje të tjera të barazisë, siç ishte eliminimi i diskriminimit.

Një zhvillim i rëndësishëm i teorisë feministe në periudhën e “valës së dytë” u prit në Francë. Krahasuar me zhvillimet në SHBA dhe Britani të Madhe, feminizmi francez ka një qasje më filozofike dhe letrare. Feminizmi francez i kushton pak vëmendje ideologjive politike dhe fokusohet në teoritë e “trupit”. Kjo përfshinë jo vetëm shkrimtarët francezë, por edhe ata që punonin kryesisht në Francë dhe brenda kuadrit të traditës franceze, për shembull, Yulia Kristeva dhe Bracha Ettinger.

Ndërsa, Autorja dhe filozofja franceze Simone de Beauvoir me “Seksi i dytë” i shkruar në vitin 1949,bën një analizë të hollësishme të shtypjes së grave. Vepra e saj mund t’i atribuohet ekzistencializmit feminist. Duke qenë një ekzistencialiste, Beauvoir pranon tezën e Sartrit se “ekzistenca i paraprinë esencës”, nga e cila rrjedh se “gratë nuk lindin, ato bëhen”. Në analizën e saj, fokusi është në “Grua” (konstrukt shoqëror) si “Tjetri” – kjo është ajo që Beauvoir përcakton si bazë për shtypjen e grave. De Beauvoir konsiderohet si nga autoret me te rendësishme të feminizmit.

Me zgjerimin e kritikave kundër valës së dytë të feminizmit dhe me fillimin e relativitetit nën ndikimin e ideve postmoderne në shoqëri, si dhe me një varg faktorëve të tjerë, u shfaq vala e tretë e feminizmit. Karakteristika më e rëndësishme e valës së tretë është feminizmi post modern që u zhvillua në periudhën 1970-1990. Me fjalë të tjera, më shumë se çdo gjë tjetër, vala e tretë e feminizmit është rezultat i zhvillimit të sistemit kapitalist, paraqitjes së pikëpamjeve postmoderne dhe reagimeve si rezultat i radikalizmit dhe njëanshmërisë së valës së dytë.

Qasja postmoderne është një qasje kritike që natyrisht një pjesë e kritikave i drejtohen modernizmit. Vlen të theksohet se leximi post modern i feminizmit në realitet është rishikim dhe kritikë ndaj valës së dytë të feminizmit dhe ka treguar reagim negativ ndaj prirjeve radikale feministe. Kjo është për arsye se feministët post modernë besonin se këto prirje ekstremiste të feminizmit e pengojnë kryengritjen e femrave dhe nëse nuk do të ekzistojë një sistem juridik i përgjithshëm dhe global, nuk mund të ftohen të gjitha femrat në një rrugë dhe në një të menduar dhe program të përbashkët./KultPlus.com


Të ngjajshme