27 Gusht, 2025 - 6:44 pm
Nga 1 deri më 7 shtator, Ferizaj do të shndërrohet në kryeqendrën e teatrit shqiptar me edicionin e 55-të të Festivalit të Teatrove. Ky aktivitet tradicional mbledh çdo vit trupa dhe artistë të njohur nga Kosova, Shqipëria dhe rajoni, duke sjellë në skenë produksione të reja dhe interpretime që sfidojnë publikun e artdashës.
Pjesë e jurisë këtë vit do të jenë tre personalitete të spikatura të artit dhe kulturës: Zyrafete Shala, shkrimtare dhe kritike letrare me përvojë shumëvjeçare në fushën e analizës dhe botimeve, Simon Shkreli, aktor me karrierë të pasur në teatrot e Kosovës, Malit të Zi dhe Shqipërisë, si dhe Agon Myftari, regjisor i njohur për qasjen e tij avangarde dhe pjesëmarrjet në festivale prestigjioze ndërkombëtare.
Festivali i Teatrove në Ferizaj ka ndërtuar një traditë të fuqishme prej më shumë se gjysmë shekulli, duke u bërë një prej ngjarjeve më të rëndësishme kulturore në Kosovë. Ky edicion pritet të sjellë shfaqje që trajtojnë tema të forta shoqërore, si dhe të ofrojë një hapësirë të gjallë diskutimi mbi të ardhmen e teatrit në hapësirat shqiptare.
Ferizaj, për shtatë netë me radhë, do të jetë shtëpia e artit skenik, duke e dëshmuar se ky festival mbetet një nga shtyllat e rëndësishme të kulturës kombëtare./KultPlus.com