Festivali “28” vjen për tri ditë rresht, sjell një mori aktivitet kulturore

22 Maj, 2023 - 10:26 am

Galeria Qahili, në bashkëpunim me agjencinë kreative Shigi Studio dhe konsulencën gjermane, Work That Period, organizojnë festival 3 ditorë, përcjell KultPlus.

Ky festival, synon të promovojë ndërgjegjësimin dhe edukimin për shëndetin menstrual, të sfidojë stigmatizimin dhe të nxjerrë në pah perspektivën dhe zërin e gruas në shoqëri. Festivali do të zhvillohet në tre ditë, nga data 27 maj deri më 29 maj 2023. 

KultPlus ju sjell të plotë edhe agjendën e aktiviteteve të festivalit:

27 maj 2023
Ora 12:00 – Festivali nis në Galerinë Qahili me një seancë joga të titulluar “Eksplorimi përmes lëvizjeve” të drejtuar nga Dodona nga Ananda Yoga. Ky sesion synon të promovojë shëndetin fizik dhe mendor.

28 maj 2023, ora 18:00 – Galeria Qahili organizon një diskutim mbi “Ditën Ndërkombëtare të Shëndetit Menstrual”. Përfaqësues të shoqërisë civile, mjekë dhe psikologë do të marrin pjesë në këtë diskutim, duke trajtuar aspekte të ndryshme të shëndetit menstrual.

Ora 19:00 – Në Galerinë Qahili hapet ekspozita e titulluar “28” e artistëve kosovarë, gjermanë dhe amerikanë. Kjo ekspozitë eksploron temën e shëndetit menstrual përmes artit pamor, duke synuar të sfidojë perceptimet shoqërore dhe të rrisë ndërgjegjësimin.

Ora 19:20 – Adrian Berisha do të performojë muzikë si pjesë e segmentit të festivalit “Exploring Through Sound”.

29 maj 2023, ora 19:30 – Festivali mbyllet në Teatrin Dodona me një aktivitet të quajtur “Exploring Through Stories”, Tregim Pjeshkash do të prezantojë përvoja dhe histori rreth arritjeve, gëzimeve dhe përvojave të grave, duke ofruar një platformë për të ndarë dhe festuar tregime të ndryshme.

Aktiviteti i parë i këtij projekti, i titulluar “Ato”, u zhvillua më 8 mars 2023. Festivali “28” shërben si vazhdimësi e projektit, me fokus në hulumtimin e shëndetit menstrual të kryer në Gjermani, Holandë dhe Kosovë dhe synon për të nxitur dialogun, edukimin dhe shprehjen artistike rreth kësaj teme.

Ky aktivitetet realizohet në partneritet me Galerinë Qahili, Shigi Studio, Work That Period, Tregime Pjeshkash dhe Ananda Yoga, e mbështetur nga Teatri Dodona – Komuna e Prishtinës, Budweiser, Terre Carsiche, Llucija Cake, Period Panty Party, dhe Klan Kosova. / KultPlus.com

Të ngjajshme