Festivali “Marie Kraja”, Veliaj u dhuron “Kullën e Sahatit” anëtarëve të jurisë

29 Mars, 2024 - 1:59 pm

Në prag të natës finale të Festivalit Ndërkombëtar të Vokalit Operistik “Marie Kraja”, kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj priti anëtarët e jurisë së festivalit, personalitete të rëndësishme të Operas Botërore, dhe e cilësoi festivalin si një traditë që tashmë është kthyer në trashëgimi të qytetit.

Në shenjë mirënjohje, kreu i Bashkisë së Tiranës u dhuroi anëtarëve të jurisë, të cilët janë personalitete të Operas, “Kullën e Sahatit”, si një simbolikë të kohës së Tiranës që funksionon dhe që mëson nga më të mirët. Për kryebashkiakun, qytetet duhet të promovojnë artin dhe kulturën e tyre, si një mënyrë për të prodhuar ekonomi, njohje dhe reputacion.

Festivali “Marie Kraja” këtë viti mbërrin në edicionin e 20-të të tij, duke bashkuar zërat e rinj operistikë nga e gjithë bota, në festivalin më të madh shqiptar, kushtuar muzikës klasike.

“Është një traditë shumë e bukur e qytetit tonë, një traditë që spikat talente nga e gjithë bota, që është kthyer në një trashëgimi të qytetit. Më vjen mirë që teksa qyteti përgatitet të jetë “Qyteti Mesdhetar i Kulturës” vitin që vjen, ne kemi këtë edicion të “Marie Krajës”, tha Veliaj.

Ai falënderoi anëtarët e jurisë dhe vlerësoi faktin që institucione të njohura e prestigjioze u bënë pjesë e traditës së këtij festivali, për t’u siguruar që kryeqyteti ynë të jetë gjithmonë e më shumë një epiqendër e artit dhe kulturës.

Nga ana e saj Cecilia Gasdia, Drejtore e Përgjithshme dhe Drejtore Artistike e “Arena di Verona Foundation”, kryetare e jurisë, e konsideroi si një nder pjesëmarrjen dhe rikthimin si pjesë e jurisë së festivalit “Marie Kraja”, duke theksuar mundësinë e bashkëpunimit me institucionet kulturore të kryeqytetit. / atsh / KultPlus.com

Të ngjajshme