Tirana mikpret ceremoninë e hapjes së Javëve Kulturore Ndërkombëtare

27 Prill, 2024 - 11:00 am

Tirana do të mikpresë ceremoninë zyrtare të hapjes së Javëve Kulturore Ndërkombëtare.

Lajmin e bëri të ditur sot kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili ftoi qytetarët që të bëhen pjesë e kësaj feste në 1 maj, ora 20:00 në sheshin “Skënderbej”.

Veliaj theksoi se “Javët Kulturore Ndërkombëtare nisin rrugëtimin e tyre të tretë në Shqipëri, plot me surpriza dhe stacione të reja”.

“Qytetet shqiptare janë gati të mikpresin kulturat e të tjerëve, të cilat vijnë me dëshirën për të përçuar vlerat dhe traditat e tyre e për të nxitur shkëmbimin kulturor dhe frymëzuar inovacionin. Ejani të bëheni pjesë e hapjes zyrtare të Javëve Kulturore Ndërkombëtare 2024”, shkruan Veliaj në rrjetet sociale.

Javët Kulturore Ndërkombëtare (JKN) është një nismë e ish-Ministrisë së Kulturës 2022, që sjell në Shqipëri tingujt, imazhet, aromat dhe shijet e vendeve të ndryshme të botës.

Nëpërmjet këtij projekti vendet njihen më mirë, forcohen marrëdhëniet me partnerët ndërkombëtarë, si dhe rritet oferta e aktiviteteve kulturore në Shqipëri për të gjitha shijet dhe moshat. JKN e shndërron skenën e aktiviteteve kulturore në vend në një arenë ndërkombëtare shumëkulturore dhe shumëdisiplinore./ KultPlus.com

Të ngjajshme