Festivali vjetor në Seattle, “Engjëjt blu” dhurojnë spektakël në qiell

7 Gusht, 2023 - 10:31 pm

Festivali vjetor “Seafair”, “Panairi i Detit” u zhvillua gjatë fundjavës në Seattle në Washington.

Avionët “Engjëjt blu” dhuruan shfaqje në ajër për banorët si dhe vizitorët. Po ashtu u zhvillua edhe gara me shpejtësi të lartë me motoskafë.

Në qytetin Seattle, banorët por edhe turistët, ndoqën nga afër shfaqjet në ajër të avionëve “Engjëjt blu” (Blue Angels) të marinës amerikane, si pjesë e një festivali të përvitshëm që zhvillohet në këtë qytet.

“Duhet përqendrim i plotë për të fluturuar 45 centimetra larg njëri-tjetrit gjatë gjithë kohës. Pra, 45 minuta përqendrim njëqind për qind”, thotë komandanti Thomas Zimmerman.

Pjesë e ekipit për këtë shfaqje ishte edhe pilotja e parë femër për avionët “Engjëjt blu”, Amanda Lee, ndërsa të gjithë treguan aftësitë e tyre si dhe punën në ekip se si funksionojnë forcat amerikane.

“Ajo për të cilën ne po shpresojmë me këtë shfaqje është që në thelb t’i bëjmë të gjithë të dëshirojnë të jenë versioni më i mirë i vetes, të vazhdojnë të punojnë shumë dhe të bëjnë gjëra të mëdha”, thotë komandanti Thomas Zimmerman.

Ky festival që zgjat dy ditë, po ashtu ka edhe shfaqje mahnitëse nga deti dhe çdo gjë kërkon një koordinim të fortë të të gjitha organeve ligjzbatuese.

“Ne kemi shumë partnerë që po bashkëpunojmë, nga policia lokale, zjarrfikësit, FBI-ja. Pilotët e avionëve ‘Engjëjt Blu’ kanë rregulla vërtet të rrepta kur fluturojnë për shfaqje”, thotë Eric Corning, drejtues i festivalit.

Në liqenin “Washington” po ashtu u zhvilluan garat me shpejtësi të lartë me motoskaf.

“Kur garon me një automjet në tokë, ti ke një lloj kontrolli. Ne që zhvillojmë gara në ujë, ka shumë rrezikshmëri”, thotë Corey Peabody, drejtues i një motoskafi.

Corey tregon më tej për Zërin e Amerikës se garat zhvillohen me një shpejtësi prej gati 300 kilometrash në orë dhe sipas tij është një emocion që nuk mund të shpjegohet me fjalë.

Brent Hall, i cili u rrit pranë liqenit duke parë garat tani është bërë piloti i parë me ngjyrë që konkurron.

“Është sezoni im i parë këtë vit dhe jam shumë i emocionuar për të garuar dhe për t’u argëtuar. Por gjatë provave pata një problem teknik kështu që këtë vit do të bëjmë një pushim të vogël, por vitin e ardhshëm do t’ia dalim të fitojmë”, thotë ai.

Për këtë familje, dashuria për garat me shpejtësi të lartë që zhvillohen në liqen vijon prej dekadash.

“Ne i njohim të gjithë drejtuesi nga vitet ’70 dhe ’80. I dimë të gjithë mjetet e vjetra të garave. Kujtojmë zhurmat më të forta të motorëve të mëdhenj. Është thjesht bukur kur mblidhemi së bashku dhe të ndihemi vërtet të lumtur. Të gjithë janë në humor të mirë gjatë këtyre ditëve”, thotë Jeff, adhurues i garave me motoskaf.

Michael Kelly ishte fituesi i garës për këtë vit.

“Unë thjesht jam pa fjalë… Nuk është vetëm gara, por janë njerëzit që janë të përfshirë dhe që e bëjnë këtë sport kaq të veçantë”, thotë ai.

Fituesi i garës thotë se shpreson që ky festival të vijojë përgjithmonë. Ai me siguri planifikon të rikthehet verën e ardhshme./ VOA/tch/KultPlus.com

Të ngjajshme