Fillojnë punimet për stadiumin e ri në Suharekë, investim prej 11 milionë eurosh

3 Shtator, 2025 - 6:50 pm

Në Suharekë kanë nisur punimet për ndërtimin e stadiumit të ri të qytetit, një projekt madhor i financuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit me vlerë prej 11 milionë eurosh. Stadiumi pritet të përfundojë brenda dy vitesh dhe do të ketë kapacitet mbi 6,500 ulëse, duke përmbushur kriteret e kategorisë 2 plus të UEFA-s.

Në ceremoninë e hapjes morën pjesë Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, si dhe Kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, përcjellë KultPlus.

Kryeministri Kurti e cilësoi këtë projekt si një “lajm të madh për Suharekën dhe futbollin e Kosovës”, duke e lidhur me sukseset ndërkombëtare të KF Ballkanit:

“Me këtë investim po lajmë një pjesë të borxhit shtetëror ndaj klubit Ballkani, që me arritjet e tij ka ngritur imazhin e shtetit tonë.”

Nga ana e tij, Ministri Çeku theksoi se ky investim është pjesë e një programi të gjerë për zhvillimin e infrastrukturës sportive në gjithë vendin:

“Tradita sportive e Suharekës dhe rezultatet e jashtëzakonshme të Ballkanit meritojnë këtë projekt të madh.”

Stadiumi i ri do të jetë shtëpia moderne e KF Ballkanit, por edhe një qendër sportive për klubet e tjera të qytetit, duke krijuar kushte të avancuara për zhvillimin e talenteve të rinj./KultPlus.com

Të ngjajshme