18 Qershor, 2025 - 6:15 pm
Të shtunën, më 21 qershor, në ora 20:00, në DokuKino në Prizren, Ambasada e Malit të Zi në bashkëpunim me DokuFest-in organizon premierën kosovare të filmit Fëmijët nga rruga e Marksit dhe Engelsit. Ky është prodhimi i parë malazez pas rivendosjes së pavarësisë së Malit të Zi dhe një prej realizimeve më domethënëse të kinematografisë së re të rajonit.
Filmi, me regji të Nikolla Vukçeviqit, sjell një rrëfim të fuqishëm dhe emocional të vendosur në realitetin ballkanik, duke ndjekur historinë e dy vëllezërve përgjatë një nate vendimtare: njëri prej tyre përgatitet të kryejë një vrasje, ndërsa tjetri përjeton ndjenjën e parë të dashurisë.
Në premierë do të marrë pjesë edhe aktori kosovar Fatmir Spahiu, një nga emrat pjesëmarrës në këtë bashkëpunim rajonal. Ai ndan skenën me disa nga figurat më të njohura të filmit në Ballkan, si Momçilo Otasheviq dhe Branka Staniq nga Mali i Zi, Emir Haxhihafizbegoviq dhe Goran Bogdan nga Bosnja dhe Hercegovina, si dhe aktorët serbë Nebojša Glogovac dhe Ana Sofrenoviq.
“Fëmijët nga rruga e Marksit dhe Engelsit” pritet të ngjallë interes të gjerë tek publiku kosovar, jo vetëm për tematikën dhe përmbajtjen e tij artistike, por edhe për simbolikën e fortë të bashkëpunimit kulturor ndërballkanik./KultPlus.com