Izolimi mund të ketë ndryshuar personalitetin tuaj

3 Gusht, 2020 - 10:16 pm

Personaliteti njerëzor krijohet prej përvojave dhe marrëdhënieve tona sociale, prandaj edhe izolimi në të cilën gjendemi, për shkak të së cilit ne nuk takohemi me miq, familjarë dhe kolegë do të ketë ndikimin e tij në ne.

Përvoja e izolimit për shkak të pandemisë te secili është përjetuar ndryshe prej personit tjetër, raporton BBC, përcjellë KultPlus.

Disa njerëzve u është dashur të mbyllen në vetmi absolute për javë a muaj të tërë, e të tjerëve u është dashur të mbyllen në një hapësirë me familjarë apo me njerëz me të cilët nuk kanë marrëdhënie të mira. Disa e kanë përdorur izolimin për të u relaksuar dhe për të pushuar prej punës e për të marrë më shumë kohë për veten.

Edhepse është menduar që personaliteti ka një limit deri kur mund të ndryshohet, hulumtimet e fundit kanë treguar që disa tipare personaliteti nuk janë fikse, e se ato do të vazhdojnë evoluimin gjatë gjithë jetës. Sipas këtij këndvështrimi, izolimi mund të ketë lënë gjurmët e veta tek secili prej nesh, natyrisht në mënyra të ndryshme.

Te njerëzit që janë në lidhje të shëndetshme, me partnerë mbështetës, periudha e izolimit mund të ketë qenë një mundësi për tu afruar më shumë me njëri tjetrin, për të u rritur emocionalisht.

Ndërkohë njerëzit në lidhje të vështira, të palumtura, të cilët kanë mbetur të izoluar me partnerin e tyre apo me familjarë toksik, izolimi mund të ketë përfunduar me pasoja traumatike. Shumë persona në lidhje apo martesë kanë përfunduar marrëdhënien e tyre në këtë kohë.

“Ndoshta personat më të prekur prej kësaj gjendje kanë qenë ata me probleme emocionale apo çrregullime të shëndetit mental. Personat që vuajnë nga ankthi, depresioni, çrregullimi bipolar apo OCD kanë qenë prej kategorive të rrezikuara në këtë kohë,” shpjegon Rebecca Shiner, psikologe klinike në Universitetin Colgate. / KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme