6 Gusht, 2025 - 3:45 pm
Më 10 gusht 1988, në një orë të heshtur të mëngjesit, regjimi komunist shqiptar ekzekutoi me varje poetin Havzi Nela, duke vendosur një nga vulat më të errëta të diktaturës në historinë tonë. Por ajo që duhej të ishte heshtja përfundimtare e një “zëri kundërshtues”, u kthye në një britmë që do të jehonte më fort pas rënies së komunizmit.
Nela, i lindur më 20 shkurt 1934 në Kollovoz të Kukësit, ishte rritur në varfëri, por kishte pasuri shpirtërore që s’kishte kufij: dashurinë për fjalën e lirë, për dijen dhe për njeriun. Qysh në rininë e hershme e shfaqi hapur kundërshtimin ndaj padrejtësive të regjimit. U përjashtua si “element destruktiv” nga Instituti Pedagogjik i Shkodrës, por nuk reshti së mësuari të tjerët.
Dënimi i tij me 15 vjet burg nisi pas një tentative për t’u arratisur në Kosovë, bashkë me bashkëshorten Lavdie, në prill të vitit 1967. Por nuk ishte thjesht tentativa për t’u larguar nga vendi ajo që e dënoi – ishte vetë poezia e tij, fjala e tij, refuzimi për të heshtur që e shndërroi në simbol të rezistencës. Burgjet dhe internimet u bënë pjesë e jetës së tij deri në momentin e fundit.
Më 24 qershor 1988, Gjykata e Lartë vulosi dënimin e tij me vdekje. As lutja e nënës, Xhevahire Nela, dhe as telegramet e motrave, nipave e mbesave, dërguar Presidiumit të Kuvendit Popullor më 26 shkurt 1988, nuk u morën parasysh. Regjimi nuk njihte mëshirë për poetët.
Në praktikën e faljes së jetës vihet re se Havzi Nela nuk kërkoi falje, as nuk shkroi ndonjë lutje për jetë. Fjala e tij nuk pranoi të përkulej.
U var në mes të qytetit dhe më pas u gropos në këmbë, pa të drejtë të prehej i shtrirë, në një gropë të hapur aty ku dikur ishte një shtyllë druri. Qëndroi në këmbë nën dhe për pesë vjet, deri më 20 gusht 1993, kur më në fund u gjet nga familja dhe u rivarros me nderet që i takonin.
Titulli “Dëshmor i Demokracisë” iu dha pas vdekjes me dekret presidencial, por ajo që Havzi Nela i dha Shqipërisë ishte shumë më shumë: ai u bë metafora më e fuqishme e poetit të pamposhtur, e fjalës që nuk pranon të heshtë, edhe kur i vihet litari në fyt.
Në një kohë kur vendet e tjera komuniste po zhbënin dënimet politike dhe po lëviznin drejt reformës, Shqipëria zgjodhi të vrasë një poet.
Në vazhdim, sjellim një nga poezitë më të dhimbshme të Havzi Nelës, kushtuar nënës së tij, si dhe letrën prekëse të nënës për të birin, një dëshmi e përjetshme e dhimbjes:
“SHOKUT, RAMIZ ALIA
PRESIDIUMI KUVENDIT POPULLOR
TIRANE
LUTEM ME FALNI JETEN E DJALIT TIM HAVZI NELA QE ESHTE DENUAR ME VARJE
NENA XHEVAHIRE NELAJ
KATUNDI KOLLOVAZ
LOK. SHISHTAVEC
URGJENTE…”
Po, o nanë, po
Po, o nanë, po,
N’emën të ligjit jam arrestue,
E duert m’i kthyen prapa policët e zi,
N’hekur me tutjus m’i kanë ngujue!
Me gazin 69 u pamë sy ndër sy,
Si me keqardhje m’u ba se më vështroi,
E kur lëshova kambën mbrenda me hy,
M’u ba se psherëtiu, m’u ba se rënkoi!
Ndoshta e ndjeu veten fajtor,
Pse erdhi e më mori përsëri!
Ndoshta i gjori ishte lodhë,
Gjithkah n’udhtim nëpër Shqipni.
Gjithkund tue shkue nëpër atdhe,
Sa djem nanash kështu po i merr!
Si nji kuçedër në “Shqipnin’ e re”
Emni i tij ka futun tmerr!
Ti mos u druej, o Nana ime,
Sido të bahet jam pa faj,
Qëndro malsore, mbahu trime,
Mos e mbyll jetën me vaj!
Djali yt s’ka me t’turpnue,
Gjinin tand s’do ta tradhtojë,
Shqiptar i ndershëm ka me qëndrue,
Po prehnin tand do ta kërkojë.
Ka me dasht me t’pasun pranë,
Ta vështrosh, ta ledhatosh,
E nji fjalë t’ambël me ia thanë,
Plagët zemrës t’ia shërosh!
Pusho, mos qaj, o nanë e mjerë,
Ti me mue s’je kënaqun kurrë.
N’merak e mall ke qenë përherë,
Qysh i vogël dhe sot burrë!
Qysh nand’ vjeç m’ke nxjerrë prej shpie,
Jetim, pa babë, bukën me nxjerrë;
M’shkule nga prehni prej vorfnie,
Vetë jam rritun derë më derë!
Tri ditë bashkë s’i bamë në votër,
Shtëpia jonë nuk qeshi kurrë;
Kurrë s’u ulëm në nji sofër,
Kurrë, o Nana ime, kurrë!/KultPlus.com