Fjalimi i plotë i Presidentit Biden: Kombi i Kosovës është në zemrat e të gjithë familjes Biden

31 Korrik, 2021 - 10:26 am

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, ka thënë se familja e tij ndihet e nderuar pasi presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ndau medalje për djalin e tij të ndjerë Beau Biden, i cili kishte shërbyer në Kosovë pas mbarimit të luftës.

“Puna e Beaut në Kosovë ka qenë e përzemërt. Ai e ka dashur shtetin tuaj”, i ka thënë Biden presidentes Osmani, përmes një video mesazhi.

Ambasadori amerikan në Kosovë do ta pranojë medaljen të dielën, në një ceremoni të organizuar nga Presidenca e Kosovës, transmeton KultPlus.

Fjalimi i plotë i tij:

Faleminderit presidente Osmani,

Ne thjeshtë duam të themi se kjo është e pabesueshme, dhe unë dua ta falenderoj Republikën e Kosovës për këtë medalje.

Është një nder i madh, është një nder i madh ta vlerësosh trashëgiminë e djalit tonë Beau dhe babait të tij. Punën në Kosovë, Beau e kishte të përzemërt, ai u dashurua me vendin.

Ne jemi përgjithmonë mirënjohës për të gjithë njerëzit e Kosovës me të cilët Beau u dashurua. Aq shumë dhe aq thellë ai besonte në pavarësinë tuaj dhe në demokracinë tuaj.

Si avokat në Departamentin e Drejtësisë të Shteteve të Bashkuara, ai doli vullnetar për të shkuar në Kosovë, në Republikën e Kosovës, për të mbështetur pavarësinë tuaj dhe demokracinë tuaj të re, dhe mbi të gjitha sundimin e ligjit.

Në atë kohë, Kosova ende po shëronte plagët e reja të luftës, dhe një system drejtësie të shkatërruar për dekada nga sundimi totalitar. Por, Beau mund të shihte se çfarë mund të bësh, Beau mund të shihte edhe atëherë të ardhmen që është e mundur për vendin tuaj krenar. Një të ardhme që Kosovës i është mohuar kaq gjatë. Kjo është arsyeja pse ai ishte aq i përkushtuar që të punonte me popullin e Kosovës, dhe të siguronte që krimet e luftës të hetoheshin tërësisht dhe të ndiqeshin profesionalisht. Për të ndihmuar Kosovën të ndërtojë një system të drejtë gjyqësor, të aftë për të sjellë drejtësi dhe pajtim në vend, pas gjithë asaj kohe që Sllobodan Millosheviq keqtrajtoi dhe brutalizoi vendin tuaj.

Beau ndihmoi në krijimin e një programi trajnimi për gjyqtarët dhe prokurorët vendas, që te vendoste themelet për Institutin Gjyqësor të Kosovës, që tani është Akademia e Drejtësië. Por, Beau gjithmonë ishte i pari që do t’ju tregonte, pasi ai na tha edhe ne, se ai ishte vetëm një nga shumë njerëz të përkushtuar, të përkushtuar për të kryer punën, duke përfshirë shumë qytetarë krenarë të Kosovës.

Kësisoj, duke pranuar këtë çmim në emër të djalit tonë, unë gjithashtu dua ta vlerësoj dhe ta duartrokas përparimin e jashtëzakonshëm që Kosova ka bërë gjatë njëzet vjetëve të fundit.

Unë kam qenë atje disa herë dhe (kam parë) të gjithë njerëzit që punojnë pa u lodhur, për të ndërtuar një të ardhme më të ndritur, në të cilën Beau besonte për popullin e Kosovës.

Ka ende shumë punë për t’u bërë, nuk kam nevojë t’ju them. Më shumë punë për ta luftuar korrupsionin për të mbrojtur të drejtat e pakicave etnike dhe fetare. Për të ndërtuar marrëdhënie pozitive me kombet fqinje dhe për të forcuar zhvillimin ekonomik.

Unë angazhohem për ju, dhe Shtetet e Bashkuara do të mbeten partneri i palëkundur i Kosovës në këtë drejtim. Kështu, së bashku, ne mund t’i përmirësojmë demokracitë, demokracitë që janë në gjendje të ofrojnë zgjidhje për nevojat e njerëzve.

Isha vërtet i lumtur që munda të ndaj vaksina të sigurta dhe efektive, vaksinën Pfizer, për popullin e Kosovës, për të mposhtur pandeminë COVID-19, dhe pres që vaksina të dorëzohet nga COVAX, organizatë kjo ndërkombëtare; dozat do të vijnë brenda pak javësh.

Pres që të vazhdoj dhe të thelloj miqësinë dhe partneritetin tonë të jashtëzakonshë, midis dy kombeve tona, si president i Shteteve të Bashkuara. Kjo për ne ka më shumë rëndësi se që mund ta imagjinoni.

Kombi i Kosovës është në zemrat e të gjithë familjes Biden.

Siç do të thoshte nëna ime, Zoti ju nderoftë, Zoti ju nderoftë! / KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme