30 Maj, 2025 - 9:00 am
Franca do të ndalojë pirjen e duhanit në të gjitha vendet publike të hapura ku mund të jenë të pranishëm fëmijët, duke përfshirë plazhet, parqet, kopshtet publike, stacionet e autobusëve, hapësirat pranë shkollave dhe mjediset sportive. Lajmi u bë i ditur të enjten nga ministrja e Shëndetësisë dhe e Familjes, Catherine Vautrin, e cila theksoi se ndalimi hyn në fuqi më 1 korrik.
“Duhani duhet të zhduket aty ku ka fëmijë,” u shpreh Vautrin në një intervistë për gazetën Ouest-France. Ajo shtoi se “liria për të pirë duhan ndalet aty ku fillon e drejta e fëmijëve për të thithur ajër të pastër.”
Ndalimi do të zbatohet edhe para shkollave, për të ndaluar nxënësit që të pinë duhan në ato hapësira. Shkelësit do të përballen me gjoba deri në 135 euro.
Megjithatë, ndalimi nuk do të zbatohet në tarracat e kafeneve franceze, një simbol i kulturës vendase. Po ashtu, cigaret elektronike nuk përfshihen në këtë masë.
Franca ka ndërmarrë hapa të vazhdueshëm për të reduktuar përdorimin e duhanit në hapësira publike, por mbetet ndër vendet me përqindjen më të lartë të duhanpirësve në Evropë, rreth 35 për qind e popullsisë, krahasuar me 25 për qind mesatarja evropiane dhe 21 për qind globalisht, sipas të dhënave të OBSH-së.
Çdo vit, rreth 75,000 francezë humbin jetën nga ndërlikimet që lidhen me duhanin. Programi Kombëtar Kundër Duhanit për periudhën 2023-2027 synon të arrijë një brez pa duhan deri në vitin 2032.
Sipas një sondazhi të fundit, 62 për qind e qytetarëve mbështesin ndalimin e pirjes së duhanit në hapësirat publike. Ndërkohë, mbi 1,500 qytete dhe fshatra në Francë kanë vendosur tashmë ndalime lokale të duhanit./ KultPlus.com