Fshati turistik i Voskopojës, një nga destinacionet më tërheqëse

29 Qershor, 2023 - 11:00 pm

Fshati turistik i Voskopojës në Korçë mbetet një nga destinacionet më tërheqëse për turistët vendas e të huaj.

Investimet e kryera në Voskopojë kanë bërë që të ngrihen një sërë sipërmarrjesh familjare, falë edhe mbështetjes së qeverisë përmes Agjencisë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural (AZHBR).

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale dëshminë e administratores së bujtinës “Vila Strugu”, Bruna Sheno, e cila vlerëson ndër të tjera mbështetjen e marrë përmes programit IPARD II.

“‘Vila Strugu’ në fshatin e mrekullueshëm të Voskopojës, e mbështetur nga programet e qeverisë nga Agjencia e Zhvillimit Bujqësor Rural, AZHBR përmes programit IPARD II, është një nga destinacionet që vlen ta vizitoni këtë verë”, shkruan Rama.

Nga ana e saj, Sheno u shpreh se bujtina është ndërtuar nga e para dhe është ruajtur tradita në çdo element të punimeve.

Agroturizmi po merr gjithnjë e më shumë zhvillim në zona të ndryshme turistike të vendit përmes bujtinave të ngritura. Transformimi i zonave rurale në peizazhe tërheqëse, ka nxitur krijimin e agroturizmit, si një model i ri i zhvillimit rural në Shqipëri.

Programi i qeverisë për bujqësinë ka në fokus të zhvillojë fshatin dhe turizmin rural nëpërmjet mekanizmave mbështetës, për rritjen e aktiviteteve agroturistike dhe bujtinave, që janë bërë atraksione me interes të veçantë për vizitorët dhe turistët e shumtë që i frekuentojnë ato në çdo stinë të vitit./atsh/KultPlus.com

Të ngjajshme