FSK bashkë me qytetarë feston “Ditën e Forcës”

27 Nëntor, 2023 - 9:21 am

Ministria e Mbrojtjes dhe Forca e Sigurisë së Kosovës, me rastin e “Ditës së Forcës”, sot, duke filluar nga ora 10:00 deri në ora 13:00 organizojnë “Ditën e Hapur”.

Manifestimi qendror do të mbahet në kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë, ku do të marrin pjesë udhëheqësit më të lartë shtetëror, si dhe përfaqësuesit ushtarakë e diplomatikë të vendeve partnere me mision në vendin tonë.

“Në këtë ditë festive, të gjithë qytetarët janë të mirëpritur në të gjitha kazermat e FSK-së, si në: Prishtinë, Mitrovicë, Istog, Gjilan, Prizren, Ferizaj dhe Pomozatin, ku do të ekspozohen pajisje, armatime, demonstrime si dhe aktivitete të ndryshme, që dëshmojnë kapacitetet e FSK-së”, thuhet në njoftimin nga Ministria e Mbrojtjes.

Po ashtu, të hënën nga ora 19:00 do të mbahet edhe koncerti i bendit frymor të FSK-së dhe Filarmonisë së Kosovës, që do të mbahet në Sallën e Kuqe në Pallatin e Rinisë.

Jashari uron ushtarët  e FSK-së për “Ditën e Forcës”

Me rastin e “Ditës së Forcës”, komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, i ka uruar, djemtë dhe vajzat në uniformë, duke ritheksuar se vetëm përmes përkushtimit dhe punës së palodhshme, mund të arrihen qëllimet e përbashkëta.

Në këtë ditë të rëndësishme, Jashari ka shprehur respektin e tij të sinqertë për të gjithë personelin ushtarak dhe civil të FSK-së.

“Të nderuar ushtarë, nënoficerë dhe oficerë, përkushtimi juaj i palëkundur dhe puna juaj e palodhshme që keni bërë dhe vazhdoni të bëni për ushtrinë dhe vendin tonë, meritojnë  falënderim të veçantë dhe mirënjohje të pafundme. Në këtë ditë të veçantë, le të reflektojmë së bashku në të kaluarën tonë dhe të nderojmë sakrificat e të gjithë atyre brezave të cilët janë meritoret më të mëdhenj të lirisë të cilën e gëzojmë sot”, ka shkruar gjeneral Jashari në urimin e tij.

Ai thotë me tej se “vetëm përmes përkushtimit dhe punës tuaj të palodhshme do të mund të arrijmë realizimin e qëllimeve tona të përbashkëta”.

“Urime Dita e Ushtrisë për  ju, djem dhe vajza të shkëlqyer të ushtrisë sonë!”, shkruan gjeneral i FSK-së./ KultPlus.com

Të ngjajshme