‘Geraldina Zogu, Trëndafili i Bardhë i Shqipërisë’, ekspozitë me dokumente historike

28 Tetor, 2022 - 5:30 pm

“Geraldina Zogu, Trëndafili i Bardhë i Shqipërisë” titullohet ekspozita e çelur nga Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA) në bashkëpunim me familjen mbretërore shqiptare dhe Kalanë e Tiranës.

Në çeljen e ekspozitës me dokumente historike të Arkivit Qendror Shtetëror (AQSH) në ambientet e Kalasë së Tiranës, ishin të pranishëm Princi i Kurorës, Leka II, kreu i DPA-së, Ardit Bido, përfaqësues të ambasadës hungareze në Tiranë, studiues, biografistë, qytetarë dhe dashamirës të historisë.

Drejtori i DPA-së, Bido vlerësoi gatishmërinë e bashkëpunëtorëve në ndërmarrjen e kësaj ekspozite.

“Mbretëresha Geraldinë është një figurë shumë interesante, që del akoma më në pah nëpërmjet dokumenteve të Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave. Geraldina e mbajti Shqipërinë në zemër dhe luajti një rol të rëndësishëm në emancipimin e gruas shqiptare”, u shpreh Bido.

Princi Leka II u shpreh se ngjarjet dhe faktet historike duhen publikuar pa anësi.

Ai falënderoi stafin e DPA-së për punën e vazhdueshme të kryer në këtë drejtim.

“Historia duhet trajtuar pa paragjykime dhe ne duhet të ndihemi krenarë që kemi gjak shqiptari”, shtoi Princi Leka II.

Në këtë përkujtesë të figurës së “Trëndafilit të Bardhë të Shqipërisë”, DPA-ja me ndihmesën e familjes mbretërore shpalosi informacione lidhur me veprimtarinë e mbretëreshës Geraldinë në Shqipëri, foto, të dhëna të saj biografike dhe përgatitjet e kryera për celebrimin e martesës me mbretin Ahmet Zogu I.

Përmbledhtazi, mes materialeve të përzgjedhura bëjnë pjesë dokumentet e poshtëpërmendura: Programi i fejesës së mbretit Zog I me konteshën Geraldina Aponnyi; Biografi të mbledhura mbi familjen e konteshës Aponnyi; Dëshmi e mbretit Ahmet Zog dërguar kryeministrit më 30 janar 1938 mbi dëshirën për të pranuar si bashkëshorte konteshën Geraldi Aponnyi, referuar nenit 89 të Statutit Themeltar Mbretëror; Përgjigje e kryetarit të Parlamentit drejtuar kryeministrisë më datë 31 janar 1938, që çmon se martesa mes mbretit Ahmet Zog dhe princeshës Geraldinë është në përputhje me Statutin Themeltar të Mbretërisë; Lista e shpenzimeve e martesës së mbretit Zog; Telegrame urimi mbi lajmin e gëzueshëm të martesës midis mbretit Ahmet Zog dhe princeshës Geraldinë; Telegrame urimi drejtuar Mbretit Zog me rastin e lindjes së princit trashëgimtar.

Ky aktivitet u zhvillua në kuadër të 20-vjetorit të ndarjes nga jeta të mbretëreshës Geraldinë./ atsh/ KultPlus.com

Të ngjajshme