“Giro d’Italia 2025” nis më 9 maj në Durrës dhe mbyllet në Vlorë

3 Maj, 2025 - 10:30 am

“Giro d’Italia 2025” do të nisë më 9 maj në Shqipëri, ku do të zhvillohen tri etapat e para, dhe do të përfshijë 21 etapa duke përfunduar më 25 maj në Romë.

Prezantimi i ekipeve pjesëmarrës në aktivitet do të bëhet në datën 7 maj, në orën 20:30 në sheshin “Skënderbej”.

ETAPA 1: Durrës – Tiranë (9 maj)

Xhiro do të nisë rreth orës 13:10 që nga Porti i Durrësit, ku do të bëhet nxehja dhe pedalimi i ekipeve deri sa të arrijnë në KM 0, në Durrës nga ku do të startojë gara. Sportistët do të vijojnë drejt Malit të Robit, në Kavajë, Rrogozhinë, Peqin, Papër, Bradashesh, Gracen, Mullet, TEG, Sauk, Surrel, Tiranë. Në Tiranë, ata do të rrotullohen nga Surreli, në rrugën “Xhanfize Keko”, drejt bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, pastaj sërish në rrugën e “Rexhekrit”, drejt Surrelit, në rrugën “Xhanfize Keko” e në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Përfundimi i garës parashikohet të jetë rreth orës 17:03 në sheshin “Nënë Tereza”.

ETAPA 2: Tiranë – Tiranë (10 maj)

Gara nis që nga sheshi “Skënderbej” rreth orës 13:30, në drejtim të bulevardit “Gjergj Fishta”, pastaj nëpërmjet bulevardit “Bajram Curri” drejt sheshit “Nënë Tereza”, në Rrugën e Elbasanit drejt Saukut, rikthehen në bulevardin “Bajram Curri”, nga Ura e Brrylit drejt bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, deri tek sheshi “Nënë Tereza”, ku rreth orës 17:15 është parashikuar të përfundojë xhiroja.

ETAPA 3: Vlorë – Vlorë (11 maj)

Xhiroja do të nisë rreth orës 13:15, nga Lungomare, ku do të bëhet nxehja dhe pedalimi i ekipeve deri sa të arrijnë në KM 0, në rrugën “Demokracia”, nga ku do të startojë gara. Sportistët do të vijojnë itinerarin drejt Kotës, në Brataj, drejt Qeparoit, më pas nga Porto Palermo në Himarë, e më pas do të kthehen nga Qafa e Llogorasë, drejt Orikumit, e nëpërmjet rrugës “Murat Tërbaçi” do të kthehen në Vlorë. Përfundimi i garës parashikohet të jetë rreth orës 17:26 në rrugën “Sadik Zotaj”./ KultPlus.com

Të ngjajshme