Gjakovarët kundërshtojnë rikthimin e banorëve serbë, Qerkezi: Ajo ka punu në SUP

27 Qershor, 2021 - 5:25 pm

Në komunën e Gjakovës është tensionuar situata për shkak se familjarët e të zhdukurve janë të pakënaqur me vendimin e pushtetit komunal, i cili ka ofruar strehimin e një shtetase serbe.

Familjarët po e kontestojnë këtë vendim, ngase, sipas tyre, gruaja në fjalë ishte pjesë e organeve të dhunshme të Serbisë gjatë vitit 1999.

Madje të hënën është paralajmëruar të zhvillohet edhe një protestë në ora 11:00.

Ferdonije Qerkezi ka kërkuar nga qytetarët e Gjakovës të protestojnë nesër para objektit në të cilin është vendosur shtetasja serbe. Ajo ka thënë se sigurimi i pronës komunale nga pushteti për vendosjen e serbes është i papranueshëm.

“Turp për Komunën që ja ka mundësuar me ardhë me jetu në Gjakovë. Ajo kish punu në SUP (policinë serbe)  dhe i ka dyert e përlyemë sikur vëllezërit dhe motrat e saj. Kështu që, ditën e hënë do të zhvillojmë protesta nga ora 11 dhe do të nisemi nga shtëpia muze deri te banesa ku po qëndron ajo” ka thënë ajo për Syrin.

Trupat serbe në vitin 1999 kishin kryer masakra të mëdha në komunën e Gjakovës, madje kishin përdorur edhe metodën e zhdukjes së qytetarëve. Ferdonije Qerkezit i ishin marrë me forcë katër djem dhe burri dhe nga atëherë, ajo nuk di asgjë për fatin e tyre.

Ndërkaq edhe subjektet politike në këtë komunë janë duke trajtuar këtë çështje dhe kanë shprehur edhe qëndrimet e tyre.  

Dega e Alternativës në Gjakovë ka hedhur akuza ndaj komunës e cila drejtohet nga kryetari, Ardian Gjini, se pa konsultim me organet e rendit janë angazhuar dhe kanë mundësuar kthimin e shtetases serbe.  

“Ende më shqetësuese është angazhimi i Komunës së Gjakovës në përgatitjen e banesës, pronë të cilën e posedon komuna, pa asnjë konsultim paraprak me organet e rendit dhe ato të sigurisë, si dhe heshtja e komunës dhe kryetarit të saj në marrjen e përgjegjësisë, tashmë kur situata ka krijuar pakënaqësi në masë.”

“Me çfarë procedura ligjore Dragica Gashiq është vendosur në pronën komunale kur dihet se legjislacioni në fuqi parasheh hapjen e procedurave të ankandit publik për shfrytëzimin e pronës komunale, derisa presim përgjigje nga Kuvendi Komunal i Gjakovës si autoriteti i vetëm përgjegjës, thuhet në reagimin e Alternativës”, thuhet në reagimin e tyre./ KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme