Gjirokastra, destinacioni i mbi 23 mijë turistëve nga janari në korrik

7 Gusht, 2021 - 7:00 pm

Qyteti gurtë, Gjirokastra, vijon të mbetet ndër destinacionet më të vizituara nga turistët vendas e të huaj edhe gjatë muajit korrik.

Kryetari i bashkisë së Gjirokastrës, Flamur Golemi, tha sot për ATSH-në se “numri i turistëve vendas dhe të huaj është i konsiderueshëm”.

Sipas Golemit, “vetëm kalaja e Gjirokastrës gjatë periudhës janar – korrik është vizituar nga 23 mijë turistë”.

“Vetëm gjatë muajit korrik, kalaja është vizituar nga 10 mijë turistë”, tha Golemi për ATSH-në.

Muzeumet janë ndër qendrat kryesore për zhvillimin e turizmit, ndërsa miradministrimi i tyre është në vëmendje të punës së bashkisë Gjirokastër.

Në këtë drejtim, Golemi tha se “muzemumet kanë pritur një numër të konsiderueshëm turistësh, dhe prej muajit janar deri në korrik janë vizituar nga rreth 3000 turistë”.

E njohur për shtëpitë e veta karakteristike, çatitë prej guri dhe muret e bardha, Gjirokastra është një nga pikat kryesore të turizmit në vend.

Kalaja e gurtë dhe parku i Antigonesë vazhdojnë të ngelen më të preferuarat për t’u vizituar nga grupet turistike vendase dhe të huaja përgjatë guidave dhe udhëtimeve të tyre në zonën e Gjirokastrës. / ATSH / KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme