15 Korrik, 2025 - 12:40 pm
Një hap historik për komunitetin shqiptar në Shtetet e Bashkuara është përfshirja e gjuhës shqipe në komunikimet zyrtare të shkollave publike të qytetit të Nju Jorkut. Kjo do të thotë që prindërit dhe familjet shqiptare do të kenë mundësinë të marrin informacione, njoftime dhe dokumente shkollore në gjuhën e tyre amtare.
Ky vendim shënon një njohje të rëndësishme të pranisë dhe kontributit të komunitetit shqiptar në Nju Jork dhe përbën një hap domethënës drejt përfshirjes, barazisë dhe respektimit të të drejtave gjuhësore të të gjithë qytetarëve. Ai gjithashtu lehtëson komunikimin mes shkollave dhe familjeve shqiptare, duke forcuar bashkëpunimin për arsim cilësor dhe të suksesshëm për fëmijët e tyre.
Kancelarja e Arsimit të qytetit të Nju Jorkut, Melissa Avilés-Ramos, ka shpallur zyrtarisht se gjuha shqipe është përfshirë ndër gjuhët e përdorura për komunikimin zyrtar nga Departamenti i Arsimit i qytetit. Lajmi u bë i ditur nga gazeta shqiptaro-amerikane “Illyria”, dhe përfaqëson një arritje të rëndësishme për komunitetin shqiptar në SHBA.
Ky vendim shënon një fitore historike dhe hap një kapitull të ri për mijëra familje shqiptare në Nju Jork. Nga rreth 180 gjuhë që fliten në qytet, vetëm 10 prej tyre ishin përfshirë deri më tani në komunikimet zyrtare të shkollave publike. Me vendimin më të fundit, janë shtuar edhe tre gjuhë të tjera, mes tyre edhe gjuha shqipe, duke e çuar numrin total në 13 gjuhë (përfshirë anglishten).
Kjo do të thotë se çdo dokument i rëndësishëm, njoftim apo informacion që shkolla u dërgon prindërve, do të jetë i disponueshëm edhe në gjuhën shqipe. Një ndryshim i madh që do të lehtësojë ndjeshëm përfshirjen e prindërve shqiptarë në jetën arsimore të fëmijëve të tyre.
Prej vitesh, shumë prindër shqiptarë kanë pasur vështirësi të ndjekin nga afër procesin mësimor për shkak të barrierës gjuhësore. Tashmë, me dokumente në gjuhën amtare, ata ndihen të përfaqësuar dhe të respektuar. Do të mund të kuptojnë më mirë çdo informacion, të reagojnë me më shumë siguri dhe të marrin pjesë aktive në vendimmarrjet që prekin të ardhmen arsimore të fëmijëve të tyre.
Ky zhvillim ka ndikim të drejtpërdrejtë edhe te nxënësit shqiptarë, të cilët tashmë ndihen më të përfshirë, më të vlerësuar dhe të motivuar, si në aspektin akademik ashtu edhe emocional. Fakti që gjuha shqipe është bërë pjesë e dokumentacionit zyrtar në një sistem arsimor si ai i Nju Jorkut, është një mesazh i fuqishëm: identiteti nuk është pengesë, por pasuri.
Në lidhje me këtë akt fuqizues për shqiptarët që jetojnë në Shtetet e Bashkuara, ka reaguar edhe Drita Gjongecaj, një prej zërave më të përkushtuar të diasporës shqiptare në SHBA, edukatore, aktiviste dhe pjesë kyçe e Këshillit Koordinues të Diasporës. Në një intervsitë të mbajtur, Gjongecaj shprehet se ndihet krenare, si aktiviste por edhe si prind.
“Për mua ky është një moment shumë i veçantë dhe thellësisht emocional. Është ndjenjë krenarie dhe mirënjohjeje jo vetëm si profesioniste e arsimit dhe si prind, por edhe si kontribuuese e drejtpërdrejtë në realizimin e kësaj arritjeje historike.”“Ta shohësh gjuhën tonë të renditur në faqen zyrtare të sistemit arsimor të Nju Jorkut, përkrah vetëm 12 gjuhëve (përveç anglishtes) të përzgjedhura nga mbi 180 gjuhë që fliten në familjet e këtij qyteti gjigant, është një ndjenjë që të emocionon thellë. Është një moment i madh krenarie dhe një dëshmi se shqipja ka hyrë në një fazë të re, ku roli dhe vlera e saj afirmohen institucionalisht. Ky hap na mbush me optimizëm dhe besim se trashëgimia gjuhësore e shqiptarëve në diasporë është më e mbrojtur se kurrë më parë.” – tha Drita Gjongecaj./ KultPlus.com