21 Maj, 2025 - 7:45 pm
Një delegacion shqiptar mori pjesë në takimin e 8-të të Shteteve Palë të Konventës së UNESCO-s 1970.
Në këtë takim, ku delegacioni shqiptar përbëhej nga Delegacioni i Përhershëm i Shqipërisë në UNESCO, Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit dhe Gjykata e Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë, u nda përvoja dhe angazhimi në luftën kundër trafikimit të paligjshëm të objekteve kulturore.
Ambasadorja pranë UNESCO, Besiana Kadare theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe solli në vëmendje rastin e suksesshëm të rikthimit të 20 ikonave të trafikuara, mënyrë të paligjshme, dhe të rikthyera në dhjetor 2023 në Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Në një postim në rrjetet sociale, ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja theksoi se “Shqipëria është një zë i fuqishëm në mbrojtje të trashëgimisë kulturore”.
Gjatë këtij takimi, Shqipëria kontribuoi edhe në hartimin e një rezolute të re, me fokus në forcimin e kapaciteteve dhe parandalimin e këtij fenomeni global./atsh/KultPlus.com