Gruaja e George Floyd përkrah vajzës 6 vjeçare ju drejtohet mediave, kërkon drejtësi (VIDEO)

3 Qershor, 2020 - 12:43 pm

Vdekja e qytetarit nga Minneapolisi, George Floyd, i cili e humbi jetën pasi një polic i vuri gjurin në fyt për nëntë minuta, gjatë kohës sa po e arrestonte atë në Minnesota, ka bërë bujë të madhe në gjithë botën.

Veprimi i policëve të përfshirë në këtë ngjarje, cilësohet të ketë motive raciste dhe kështu ka shkaktuar protesta shpesh të dhunshme të cilat po vazhdojnë ende.

Por, këtë ngjarje tragjike më së rëndi po e përjeton bashkëshortja e George Floyd dhe vajza e tij 6 vjeçare.

Roxie washington, bashkëshortja e George, krah vajzës ka folur sot gjatë një konference për media.

“Në fund të ditës, të gjithë po i kthehen familjeve. Giana nuk e ka më babanë. Kurrë nuk do ta sheh duke u rritur, të shkoj në mbrëmje të maturës. Kurrë nuk do të jetë aty për ta dërguar në altar. Nëse ka ndonjë problem, nuk do ta ketë babanë për t’iu drejtuar”, tha ndër të tjera Roxie në fjalimin e saj përgjatë të cilit nuk mund t’i mbante lotët. Ndërsa vajza e vogël, e cila ndonëse nuk foli, fytyra e saj tha më shumë se fjalët.

Familjarët e të ndjerit kanë kërkuar proces gjyqësor të pavarur si dhe dënim të merituar ndaj Chauvinit, ata gjithashtu janë kundër dhunës, pasi që kanë bërë thirrje të ftohen gjakrat duke kërkuar thjesht vetëm drejtësi. / KultPlus.com

Të ngjajshme