Hapen zyrtarisht “Javët e Frankofonisë në Kosovë”, i kushtohet komedisë

13 Nëntor, 2019 - 2:31 pm


Qendrim Badalli

Në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kosovës nën praninë e përfaqësuesve të katër ambasadave të huaja në vendin tonë, është bërë hapja e edicionit të 19-të të Festivalit të Filmit të Frankofonisë i cili fillon sot dhe zgjatë deri më datën 19 dhjetor, shkruan KultPlus.com

Drejtori gjeneral i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës, Albert Prenkaj, pasi ka hapur konferencën ka falënderuar të gjitha ambasadat e shteteve të huaja të përfshira në organizimin e Festivalit të Filmit Frankofon.

“Kam kënaqësinë që të ju mirëpres këtu në Ministrinë e Punëve të Jashtme për ta hapur “Javët e Frankofonisë” këtu në Kosovë, shfrytëzoj rastin të falënderoj Ambasadën e Francës në Kosovë që na ka besuar këtë nder dhe në veçanti Ambasadën e Zvicrës, të Belgjikës dhe të Luksemburgut për mbështetjen e tyre”.



Ambasadorja e Francës në Kosovë, Marie Christine-Butel, ka shpalosur informacionet bazike rreth këtij edicioni.

“Kam kënaqësinë ta shpalli të hapur edicionin e 19 të Festivalit të Filmit Frankofon. Sivjet kemi zgjedhur të prezantojmë komedinë dhe humorin marrë nga Belgjika, Zvicra, Luksemburgut, Kosovës dhe Francës, të cilët do të jenë të pranishëm në kinematë e Prishtinës, Prizrenit, Pejës, Mitrovicës, Gjakovës dhe Vushtrrisë”.

Christine Butel, tutje ka vlerësuar rolin e Kosovës në promovimin e frankofonisë.

“Kosova është një akter i vërtetë në botën e frankofonisë, me peshën e kulturës dhe historisë së saj ajo e forcon diversitetin.” Përfaqësuesja e Ambasadës së Zvicrës, Pauline Menthonnex-Gacaferri, ka falënderuar të gjithë akterët e organizimit.

“Dëshiroj të falënderoj ngrohtësisht Ambasadën e Francës dhe institucionet e Kosovës për mbështetjen aktive për promovimin e frankofonisë dhe gjuhës frënge këtu në Kosovë”.

Ajo më pas ka treguar për një numër të madh të kosovarëve frankofon që jetojnë në Zvicër.

“Zvicra është shumë krenare që numëron në popullsinë e saj shumë kosovar frankofon në kantone të ndryshme”.

Përfaqësuesja e Ambasadës së Luksemburgut, Natacha Gomes, ka folur për bashkëpunimin e ambasadës së tyre me atë franceze rreth organizimit të filmit frankofon si në Kosovë ashtu edhe në vendet tjera.

“Ambasada e Luksemburgut  edhe në vendet e tjera kanë lidhje të thella me ambasadat franceze dhe me aleancat franceze dhe kontribuojnë shpesh në ngjarjet e frankofonisë dhe jemi shumë të kënaqur dhe falënderojmë edhe njëherë ambasadën franceze që na kanë ftuar të marrim pjesë në festivalin e filmit frankofon”.

Përfaqësuesi i Ambasadës së Belgjikës, Jean Louis Servais, gjatë fjalës së tij ka bërë një lidhje mes mësimit të gjuhës franceze dhe integrimit europian të Kosovës.

“Mendoj që për një vend që është në qendër të Europës siç është Kosova dhe perspektiva e të cilit  është e qartë në integrimin europian,  për të gjithë frëngjishtja mund të shërbejë për integrim pasi frëngjishtja është gjuhë e rëndësishme e Europës dhe Unionit Europian”.

Drejtoresha për Kulturë nga Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit, Jehona Shyti është shprehur e lumtur për këtë organizim.

“Jam shumë e lumtur që këtë vit java e filmit francez në Kosovë do ti kushtohet kryesisht komedisë duke pasur parasysh se komedia është një thesar i çmuar”.

Teksa ka mbyllur fjalën e saj me premtimin për ndihmë të mëtutjeshme për këtë festival dhe përgjithësisht për promovimin e kulturës franceze.

“Kosova ka shumë njerëz që e duan gjuhën franceze, filmin dhe kulturën franceze dhe kjo është një tendencë në rritje duke e parë programet që rrjedhin nga anëtarësimi i Kosovës në frankofoni kështu që ne si Ministri e Kulturës Rinisë dhe Sportit do të vazhdojmë ta mbështesim anëtarësimin në këtë organizatë”.

Pas konferencës, ngjarja ka vazhduar me një koktej rasti për të pranishmit aty. / KultPlus.com

Të ngjajshme