Hapet votimi për Çmimin Evropian të Vitit 2021, dy grupe dhe tre persona në garë

28 Prill, 2021 - 3:24 pm

Promovimi i arsimit, shpërndarja e maskave falas, mbrojtja e mjedisit kundër padive për shpifje, fitimi i Çmimeve të ndryshme rreth regjisë, bashkëpunimi me artistë përtej kufijve për thyerjen e  stereotipave, janë këto vetëm disa kontribute nga kandidatët për çmimin ‘Evropiani i vitit 2021’, të shpallur nga Bashkimi Evropian në Kosovë, shkruan KultPlus.

Bashkimi Evropian në Kosovë, përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ka bërë të ditur që për të gjashtin vit radhazi do të dhurojë Çmimin Evropian të Vitit për një individ ose institucion që ka kontribuar më së shumti në promovimin e vlerave Evropiane në Kosovë gjatë vitit të kaluar.

Përkushtimi i madh ndaj vlerave evropiane ka ardhur nga shumë persona dhe institucione, me ç ‘rast janë përzgjedhur kandidatët për këtë vit, siç janë: Shoqata e Matematikës në Kosovë, Arlinda Murtezi, Grupi jozyrtar i Kosovës ‘Anti-SLAPP’, Blerta Basholli dhe Dardan Aliu i njohur si ‘DJ Respekt’.

Votimi për zgjedhjen e fituesit do të realizohet përmes komenteve duke shënuar një reagim specifik si: like, kujdes, dashuri, HAHA dhe WOW, që duhet të vendosen poshtë fotos të publikuar nga European Union Kosovo. Ky votim do të jetë i hapur deri të premten në ora 22:00./ KultPlus.com

Të ngjajshme