Haxhi Krasniqi sot në Prishtinë: Ëndrra ime është të boksoj në stadiumin “Fadil Vokrri”

15 Tetor, 2020 - 12:19 pm

Boksieri i lindur në Kosovë, Haxhi Krasniqi, ka mposhtur me nokaut kampionin gjerman, Dominic Bosel. Kjo fitore ia mundësoi atij titujt ËBA dhe IBO, kështu duke u shpallur kampion bote e duke bërë histori si kampion i parë botëror i lindur në Kosovë, shkruan KultPlus.

Por Krasniqi e ka prioritet vendlindjen e tij. Menjëherë pas marrjes së titullit kampion bote, ai erdhi në Kosovë, vendin për të cilin punoi plot 15 vite për të ja sjellë këtë titull.

Në një konferencë të mbajtur sot në Prishtinë, Krasniqi fillimisht tregoi se fillimi i karrierës ka qenë shumë i vështirë.

“Ka qenë shumë e vështirë për të depërtuar në Gjermani kundër një boksieri gjerman. Ka qenë 10 herë më e vështirë se në rrethana normale. Por kjo ka qenë ëndrra ime dhe nuk jam dorëzuar asnjëherë”, ka thënë kampioni.

Si 17 vjeçar, Haxhi Krasniqi ka shkuar në Gjermani dhe i janë dashur plotë 15 vite punë për të sjell këtë histori suksesi që për Gjermanët po del të jetë shumë prekëse.

“Ky grusht ka qenë grusht i 15 viteve, grusht i përvojës e sfidave të mëdha.”

Në ndeshjen e së dielës, ishin plot 2500 shikues e gjysma kanë qenë shqiptar. Brohorimat e shqiptarëve kanë qenë aq të fuqishme sa i kanë tejkaluar ato të gjermanëve e zviceranëve, e kjo ka qenë një ndjenjë e papërshkrueshme për Krasniqin i cili e cilëson si një ndjenjë të pazëvendësueshme.

Por, ai ka edhe një ëndërr të cilën nuk dyshojmë që do ta realizojë.

“Ëndrra imë është të boksoj në Stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë para popullit tim. Ajo do të ishte një adrenalinë tjetër për mu”, thekson Krasniqi.

Të pranishmit në konferencë e pyeten edhe rreth familjes për të cilën ai u shpreh se përkundër krenarisë, familja ka bartur gjithmonë edhe emocionet e dhimbjen më të madhe për rrezikun e këtij sporti.

“Nëse do i kisha dëgjuar babën e nënën, moti e kisha lënë boksin. Dhimbjen më të madhe e kanë bart gjithmonë ata, e jam munduar para tyre të jem gjithmonë i buzëqeshur. Ata i kanë dridhjet më të mëdha edhe mezi presin ta lë boksin, po ende nuk ka ardhur koha, ende nuk jam përmbushur sa i përket suksesit”, potencon Krasniqi.

Tutje ai shprehet shumë mirënjohës ndaj shtetit gjerman për mundësinë e dhënë.

“I jam shumë mirënjohës gjermanëve që më kanë dhënë këtë mundësi. Po unë gjithmonë e kam pasur në shpirt e zemër me boksu Kuq e Zi. Gjatë gjithë karrierës time jam munduar të shfaqem me elemente shqiptare. Në skena kam dalë me muzikë shqiptare, i veshur me ngjyrat e flamurit sepse mendoj që është shumë e rëndësishme me tregu nga vjen. Unë jam rritur këtu edhe kujtimet më të mira i kam nga ky vend, karakteri jem është formuar këtu.”

Pas fitores së titullit të Kampionit, mendimi i parë që i erdhi në mendje ishte: “Zoti na shpërblej për 15 vite punë e sfida.”

“Asnjë çmim në botë nuk kish mujt mem gëzu kaq shumë sa kjo fitore. Atë adrenalinë se besoj që do ta përjetoj më.”

Por për këtë ballafaqim, ai ishte shumë i përgatitur.

“Nuk kam dyshuar për këtë ndeshje se kam qenë shumë i përgatitur. Nëse nuk do e kisha fituar këtë ndeshje kjo kish me qenë përfundimi i karrierës sime. Por unë kam qenë i bindur që ky do te jetë fillimi. Kësaj fitore i janë gëzuar i gjithë populli shqiptar dhe kjo fitore është e krejt kombit shqiptar”, shprehet Krasniqi.

Tutje Kampioni tregon se qëllimi i tij ishte që këtë titull ta sjell për vendin e tij.

“Secili duhet t’i qëndroj ëndrrës së vet besnik. Kam jetuar me bindjen që dora ime do të qëndroj lart për kampion bote.”

Ai tregoi edhe për sakrificën e tij, duke u shprehur: “Para meçit ne nënshkruaj që edhe nëse vdesim në ring jemi të vetëdijshëm sepse ky sport është i rrezikshëm dhe gjithçka pritet.”

“Gjithë jetën time kam punuar për një qëllim: Sot du me qenë më i mirë se dje”, thotë Krasniqi.

Krejt për fund ai tregoi se këta tituj do t’i dërgoj sot edhe në Prekaz sepse ndihet borxhli për familjen Jashari që kanë sakrifikuar aq shumë për vendin.

“Është obligim për mua që këta tituj ti dërgoj edhe në Prekaz, sepse ndihem shumë borxhli për ta. Ndihem shumë i vogël para atyre që kanë flijuar jetën për këtë vend. I përkulem gjithmonë atij vendi.”

Ai nuk la pa thënë edhe fjalët më të mira për djemtë e kombëtares që sipas tij meritojnë shumë respekt sepse po na prezantojnë shumë mirë.

“Dëshira jem e madhe është që sportistët tanë të arrijnë majat e botës.”

Kujtojmë se rekordi i Robin Krasniqit është 51 fitore, 6 humbje dhe 19 KO, ndërsa Boesel tani ka një rekord prej 30 fitoreve, 2 humbjeve dhe 12 KOs. / KultPlus.com

Të ngjajshme