30 Korrik, 2025 - 11:45 pm
Henrietta Lacks ishte një grua me ngjyrë, e varfër, nënë e pesë fëmijëve, që jetoi në shtetin e Virxhinias në Amerikë, gjatë viteve 1920–1951. Jeta e saj ishte e zakonshme, si ajo e shumë grave të tjera, derisa në moshën vetëm 31-vjeçare, u diagnostikua me një tumor agresiv. Ajo ndërroi jetë shpejt, pa e ditur se çfarë do të ndodhte më pas me trupin e saj.
Gjatë trajtimit në spitalin “Johns Hopkins”, mjekët morën mostra nga tumori i saj, pa lejen apo dijeninë e saj, një praktikë e zakonshme për kohën dhe i dërguan në laboratorin e doktor George Otto Gey. Ajo që ndodhi me ato qeliza do të trondiste botën e mjekësisë, përcjellë KultPlus.
Deri atëherë, asnjë qelizë njerëzore nuk kishte mbijetuar për më shumë se disa ditë jashtë trupit. Por qelizat e Henriettës ishin ndryshe, jo vetëm që mbijetuan, por nisën të shumoheshin pafundësisht. Ato ishin të pavdekshme.
Këtyre qelizave iu dha një emër teknik: HeLa — duke marrë dy shkronjat e para të emrit dhe mbiemrit të saj.
Qelizat HeLa u bënë themel i mijëra zbulimeve shkencore. Falë tyre u zhvillua vaksina kundër poliomelitit. U testuan ilaçe të reja. U arritën përparime në luftën kundër kancerit, HIV-it, infertilitetit. U studiuan sëmundjet gjenetike dhe madje u analizua sjellja e qelizave në hapësirë.
Por Henrietta… nuk e mësoi kurrë këtë. As familja e saj.
Për dekada me radhë, askush nuk u tregoi atyre se një pjesë e saj jetonte ende, në miliarda qeliza të shpërndara në laboratorë të të gjithë botës.
Ajo u përdor pa leje, u harrua, u shpërfill. Por historia e saj sot është një simbol i fuqishëm: i racizmit sistemik në shkencë, i pabarazisë, i mungesës së së drejtës. Por edhe një kujtesë prekëse:
Ndonjëherë, një jetë e padukshme mund të ndryshojë fatin e njerëzimit.
Henrietta nuk ishte shkencëtare. Nuk ishte mjeke. Ishte thjesht një grua, një njeri.
Dhe pa e ditur, pa qenë asnjëherë në qendër të vëmendjes, u bë e përjetshme./KultPlus.com