3 Maj, 2025 - 11:40 pm
Kryeministri Edi Rama mori pjesë sot në çeljen e sezonit turistik në Himarë.
Në fjalën e tij, Rama vlerësoi punën e bërë nga kryebashkiaku i Himarës, Vangjel Tavo si dhe përshëndeti kryebashkiakun e Korfuzit për pjesëmarrjen në ҫeljen e sezonit.
“Himara është e pozicionuar perfekt për të zhvilluar edhe diplomacinë vendore”, tha Rama.
Rama falënderoi kryebashkiakun për sjelljen e bandës frymore të Korfuzit.
“Duhet të organizohemi sepse bashki si Himara, ose bashki të tjera të vogla, nuk e kanë të mundur ta krijojnë dhe ta mbajnë një bandë me atë prestigj, por ama qarqet e kanë të mundur dhe do të organizohemi që qarqet të kenë bandat e tyre frymore dhe pastaj bashkitë t’i përdorin sipas interesit të tyre”, tha Rama.
Rama siguroi se, “ne do të vazhdojmë të punojmë, të përpiqemi të shtyjmë përpara dhe gjëja më e mirë që ka ndodhur këtu në këtë territor është që ka rënë një qetësi dhe ndihet një energji pozitive”.
“Tani të mbarojë edhe fushata elektorale dhe të fokusohemi përsëri tek punët që duhet të vazhdojmë në këtë territor”, theksoi Rama.
“Kemi përmbyllur një pjesë të konsiderueshme të ҫështjeve të pronësisë mbi shtëpitë e vjetra, por e di shumë mirë që puna vazhdon me pjesë të tjera që kanë të bëjnë me pronësinë dhe nga ana tjetër të shtyjmë përpara për investime që të sjellin cilësi”, u shpreh Rama.
Kryeministri u shpreh se ka folur me kryebashkiakun Tavo për qendrën e Himarës.
“Himara nuk e ka një qendër. Ka një tmerr atje dhe ne do të duhet të veprojmë”, tha Rama.
Gjithashtu Rama u shpreh se ka folur me kryebashkiakun Tavo për parkingun e madh nëntokësor aty ku është stadiumi i qytetit.
“Do të bëjmë një gjë spektakolare aty tek territori i stadiumit, me parking nëntokësor për shumë makina, se nuk mundet dot që mbrëmjet e mrekullueshme të kësaj vije ujore të kushtëzohen nga gjithë barrikadat e makinave, se s’kanë ku rrinë makinat”, tha Rama.
Rama u shpreh gjithashtu se kanë folur me kryebashkiakun për Borshin dhe zonat e tjera turistike të bashkisë së Himarës.
“Dhërmiu do të jetë komplet tjetër”, u shpreh kryeministri falë punës shumë të bukur që ka bërë ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro dhe kryebashkiaku Tavo./atsh/ KultPlus.com