Historia e familjes së Sylvia Plath

22 Mars, 2024 - 10:29 pm

Ashtu si Sylvia Plath, edhe prindërit e saj Otto e Aurelia është dashur të mbajnë një barrë të vështirë. Plath i ka përdorur prindërit – dhe shumë të tjerë – si material për letërsinë e saj.

Ekzistonin si persona realë, prej të cilëve donte lavdërimet, por njëherazi qenë edhe një resurs për imagjinatën e vet. Qenë me të, por jo për të: një pasqyrë që pasqyronte çdo mundësi dhe që ajo, duke u shqyrtuar thellësinë, i hidhte erëzat. Nisi të kuptojë se tek prindërit gjallonte rrënja e anktheve të saj dhe, nga fundi i viteve Pesëdhjetë, e inkurajuar nga psikiatri, nisi të shpërthejë kundër tyre, fillimish në ditarë dhe më pas në poezi. Plath e akuzonte babain për mungesën dhe nënën për afërsinë e pacipë. Mbesnin karikatura të deformuara, të çimentuara në qelibar. Në poezinë më të famshme Daddy Otto – që vdiq kur ajo ishte 8 vjeç – është një tiran patriarkal, një “bastard” nazist. Aurelia, e futur në The Bell Jar, është martirja e armatosur që kërkon përsosmërinë e së bijës. Por nëse Plath e ka trashëguar ankthin dhe depresionin nga prindërit, është e vërtetë edhe se nga ata ka marrë inteligjencën, disiplinën, ambicien.

Në rastin e Otto Plath, miti e ka errësuar të vërtetën. Për shumë lexues të Plath, Otto është babai arian dhe nazist. Praktikisht Otto Plath, pacifist i bindur që hoqi dorë nga shtetësia gjermane më 1926, e kishte shikuar i dyzuar ngjitjen e Hitlerit. U përmbahej kodeve të ngurta morale; priste që të tjerët të vepronin njëlloj. Në një fotografi të bërë kur ishte student në Wisconsin, rreth vitit 1910, të jep idenë e një burri që mezi i duron budallenjtë. I ulur në plan të parë, midis bashkëmoshatarësh të dehur, duke mbajtur gotën në dorë. Është një njeri serioz dhe i motivuar, që nuk lejon që idealet e tij të kompromentohen, edhe pse kjo nënkupton të prishet me familjen. Një rregull që vepro thellësisht në natyrën e së bijës.

Të paktën tri gjenerata të familjes Plath kanë jetuar në provincën Posen, në Prusinë Perëndimore, përpara se të transferoheshin në Shtetet e Bashkuara. Sot Posen (Poznan) është pjesë e Polonisë, në të ashtuquajturin “Korridor Polak”: ju dha Polonisë nga Perandoria Gjermane pas Traktatit të Versajës të 1919. Ashtu si territori i Alzacë – Lorenës, qe objekt kontestimesh dhe tensionesh të mëdha midis polakëve dhe gjermanëve. Pavarësisht se pjesa më e madhe banorëve qe polake, Hitleri tentoi ta aneksojë këtë territor më 1939 në një prej akteve të para të agresionit që e shtynë Francën dhe Britaninë e Madhe t’i shpallnin luftë Gjermanisë. Megjithëse Otto Plath e ka lënë Posen më 1900, shumë përpara shpërthimit të dy luftërave, por për Sylvia do të përfaqësonte gjithmonë portretin e agresionit imperialist gjerman.

Posen, popullsia e të cilit përfshinte gjermanë, polakë dhe hebrej, që jetonin në enklava etnike të ndara, ishte ndoshta provinca më e varfër e Prusisë. Nga fundi i Tetëqindës, të tërhequr nga ekonomia e lulëzuar industriale që ishte zhvilluar në Ren dhe në ashtu si edhe nga liria amerikane, gjermanët nisën ta lënë masivisht rajonin. Më shumë se 2 milion qenë nisur në fillimet e Nëntëqindës, përfshi stërgjyshërit nga babai të Sylvia Plath, gjyshërit, xhaxhallarët, hallat, babain. Stërgjyshi, Johann Plath, ishte një fshatar analfabet, por i nipi, Otto, do të bëhej pedagog në Harvard University, dhe stërmbesa një poete pionieristike. “Perfeksionizmi” i Sylvia, shpesh i reduktuar në devijim patologjik, duhet të kuptohet në kontekstin historik dhe sociologjik të emigracionit amerikan, që ka kornizuar jetën e saj. Dëshira për të shkëlqyer në të gjitha fronte i ka rrënjët e saj në etikën e punës, në shpirtin gjerman që është trashëgimia e saj.

Origjina gjermane e Otto Plath qe e rëndësishme për të bijën. Sylvia ka shkruar shpesh se i ndjen “në mënyrë mjaft të fuqishme rrënjët e mia gjermane”; ia ka rrëfyer mikut të penës Hans-Joachim Neupert. “Ndjej një afërsi të fuqishme më gjithçka që është gjermane”, i shkruan më 1949. “Mendoj se gjermanishtja është gjuha më e bukur e botës dhe çdo herë që dëgjoj ndonjë të flasë gjermanisht apo që ka emër gjerman ndjej një intimitet sekret të papritur”. Kur lexonte Thomas Mann ndjente të mbërthehej nga një lloj “krenarie patriotike”; dëgjonte Bach dhe Beethoven, lexonte Nietzsche dhe Goethe me të ëmën. Por ajo e tija ishte një trashëgimi e dyfishtë, pasi i ishte thënë se gjatë Luftës së Parë Botërore familja e nënës së saj ishte ngacmuar nga fqinjë irlandezë e italianë në Winthorp të Massachusetts. Sylvia ishte e shqetësuar se gjatë Luftës së Dytë Botërore disa anëtarë të familjes mund të kenë qenë internuar në një kamp për gjermanë amerikanë. Babai i saj ishte arrestuar më 1918 nga FBI prej simpative të presupozuara progjermane. Në dhjetorin e 1958 shënoi në ditarin e saj skeletin e një tregimi – që do të bëhej The Shadow – të përqëndruar tek një vajzë gjermane amerikane e trajtuar me dyshim nga fqinjët gjatë luftës: “Tema ka të bëjë me vetëdijen e një sistemi të komplikuar fajëi të cilët i janë subjekt gjermanët në një komunitet hebre apo katolik… Fëmija nuk mund ta kuptojë. Si mund të jetë fajtor për burgosjen e babait të tij?”. Qysh e re, Sylvia ka kuptuar se identiteti gjerman i ndarë me të atij ishte në një farë mënyre i rrezikshëm, burim i fshehtë turpi.

Ditarët e Plath nënvizojnë frustrimin e saj ndaj paaftësisë për ta zotëruar gjermanishten. Ende në vitin 1962 dëgjonte disqe në gjermanisht, sintonizohej në programin radiofononik gjemranisht të BBC. Sylvia ishte vajza e një emigranit gjerman dhe e një austriakeje të gjeneratës së parë, që kishte studiuar gjuhën dhe letërsinë gjermane dhe njihte gjermanishten. Prindërit e nënës së saj, Schober-ët, flisnin gjermanisht në shtëpi. Pavarësisht se shkëlqente në shumë fusha, nuk e kishte lehtë me gjermanishten. Disa biografë mendojnë se mbiemri Plath fillimisht ka qenë “Platt” dhe se është anglishtizuar me të arritur në Shtetet e Bashkuara. Sipas një anëtari të familjes, mbiemri në Gjermani shkruhej si “von Plath”. Stërgjyshërit nga babai të Sylvia, John (Johann) von Plath dhe Caroline (Katrina) Katzsezmadek, u lindën në rajonin e Posen respektivisht më 1829 dhe më 1826. Johann ishte gjerman dhe luteran, kurse Katrina polake dhe katolike: çifti i tejkaloi ndarjet për t’martuar në vitet Pesëdhjetë të Tetëqindës. I kanë rritur fëmijët si luteranë, pavarësisht se tensionet fetare ekzistonin në jetën martesore. Flisnin polonisht dhe gjermanisht. Patën 8 fëmijë: Theodore, babai i Otto, i lindur më 1850, ishte më i madhi. Të 6 që mbijetuan deri në moshë të rritur, emigruan të gjithë në Amerika midis viteve 1882 e 1901 dhe u vendosën në North Dakota, Illinois, Wisconsin, Oregon.

Fakti që të gjithë von Plath kanë emigruar të lë të kuptosh se nuk ecnin dot përpara në Posen. Në Shtetet e Bashkuara u bënë kovaçë dhe rrobaqepëse, kasapë, punëtorë hekurudhash. Mary Plath pati një fakt jashtëzakonisht të errët. Sipas historive të përcjella në familje, u dashurua me një djalë nga Cando, në North Dakota, teksa ishte duke vizituar prindërit. Mbeti shtatzënë me të, por ai e la për një grua tjetër. E braktisur dhe e vetme, gjeti strehim në një pension në St. Paul të Minnesota, ku vdiq gjatë lindjes. Vdekja e Maria tregon për çmimin që duhej paguar kur devijohet nga kodet doket tradicionale luterane të sjelljes.

Theodore Friedrich, djali i madh i John dhe Caroline, u martua me Ernestine Kottke (e lindur më 1853) në një kishë protestante të Posen më 1882. Ai ishte 32 vjeç, ajo 29: për epokën, një martesë e vonuar. Ernestine është nëna e Otto, gjyshja e Sylvia Plath. Theodore dhe Ernestine patën 6 fëmijë: Otto, Paul, Max, Theodore, Hugo, Martha, Frieda, të gjithë të lindur midis viteve 1885 dhe 1896. Një fëmijë tjetër, i lindur kur Ernestine ishte vetëm 19 vjeç, jashtë martese, vdiq shpejt. Ernestine i rriti fëmijët e vetme, pasi i shoqi mungonte për periudha të gjata: shiste pajisje të kompanisë McCormick në Gjermania, Poloni, Francë dhe Rusi. Gjatë udhëtimeve të tij mësoi shumë gjuhë: një talent i trashëguar nga i biri Otto.

Puna e Theodore në Gjermani ishte e qëndrueshme e mirëpaguar: por nga fundi i shekullit McCormick u restaurua dhe në vijim familjarët hipotezuan se mos Theodore ishte pushuar nga puna. Gjithsesi, Theodore u nis nga Hamburgu më 3 mars të 1901, duke zbritur në New York 16 ditë më vonë. Në moshën 50 vjeçare, qe i fundit i vëllezërve von Plath që emigroi. Zbriti në Shtetet e Bashkuara me 125 dollarë në xhep dhe asnjë kontratë pune, me qëllimin që të transferohej tek e motra Mathilde dhe i shoqi i saj në Chicago. Ernestine u nis nga Liverpool, duke arritur në St. John të Kanadasë, në dhjetorin e 1901, me 5 prej 6 fëmijëve të saj të vegjël. Fillimisht shkoi në Maza të North Dakota, ku Emil, një vëlla i Theodore, punonte si kovaç dhe ku pak kohë më pas u bashkua me të shoqin. Jetoi në Maza deri më 1907; atë vit u transferuan në Harney të Oregon; në vitin 1912 qenë në Oregon City. Theodore ishte i punësuar si kovaç dhe si bujk.

Nga ai moment, Ernestine zhduket nga kronikat. Ernestine Plath rezulton e vdekur në shtatorin e 1919 në Oregon Hospital for the Insane. Theodore ia kishte besuar çmendinës së Salem në tetorin e 1916. Ishte 63 vjeçare. Sipas fletës së shtrimit, shëndeti fizik i saj kishte qenë “normal” deri më 1905, kur Ernestine pësoi episodin e parë të “çmendurisë” në North Dakota. Mjekësi që ka pranuar Ernestine e gjeti “shumë të depresuar, të frikësuar… haluçinante… nuk fliste”. Infermierja vëren se ishte e “mirëushqyer, e pastër, por e pambrojtur”. Nga netët në spital mësojmë se gruaja kishte flokë të errët, sy të kaltër, ishte e gjatë pak më shumë se 1 metër e gjysmë. “Ngrihet nga krevati… mendon se dikush dëshiron që ta vrasë. Lutet që ta mbajmë midis nesh, ka frikë se mos e largojnë”. Diagnoza e përkohshme e mjekut: “demenza senile”.

(Heather Clark për Pangea)/KultPlus.com

Të ngjajshme