“Hotel Unioni” në Prishtinë që dikur njihej me emrin “Skanderbeg”

29 Prill, 2020 - 4:30 pm

Ndërtesa e United Colors of Benetton të cilën e shihni duke ecur në Prishtinë njihej me emrin ‘’Hotel Unioni’’.

Kjo ndërtesë fillimisht e quajtur ‘’Skanderbeg’’ u ndërtua në vitin 1927 dhe u përdor si bujtinë deri më 1945 kur edhe iu ndërrua emri në “Hotel Union”. Objekti u ndërtuar nën mbikëqyrjen e arkitektit austriak, Andija Kremer.

Komuna e Prishtinës, në vitin 2008, njoftoi se kishte për qëllim rrafshimin e këtij objekti, nën pretekstin se nuk zotëronte asnjë vlerë të rëndësishme arkitektonike dhe në mënyrë që të hapet rruga për bulevardin e ri ‘’Ibrahim Rugova’’, që do të ndërtohej.

Mirëpo, Instituti për Mbrojtjen e Monumenteve të Kosovës pati shprehur rekomandimin e vet për restaurimin e menjëhershëm të tij. Gjendja e objektit ishte përkeqësuar edhe më shumë, kur aty kishte rënë një zjarr në vitin 2009, veprim për të cilin ishte arrestuar një i pastrehë, nën dyshimin e kryerjes së këtij akti.

Në vitin 2010, Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore njoftoi për marrëveshjen me kompaninë italiane të modës ‘’The United Colors of Benetton’’ për të rivendosur objektin në gjendje sa më të afërt me gjendjen origjinale të tij.

Pas përfundimit të punëve në restaurim, në vitin 2013 ‘’United Colors of Benetton’’ inauguroi një hapësirë 2.000 metrash katrorë në objektin e ish-hotel Skanderbeg. Koha.net / KultPlus.com

Image

Të fundit

Të ngjajshme