Hulumtuesja e Tribunalit të Hagës për krimet e luftës në ish-Jugosllavi, Nevenka Tromp, mban ligjëratë publike në UNI – Universum International College

16 Shkurt, 2024 - 9:16 pm

UNI – Universum International College ka organizuar ligjëratë publike dhe panel diskutimi me Dr. Nevenka Tromp, hulumtuese në Tribulanin e Hagës për krimet e luftës në ish-Jugosllavi dhe Profesoreshë e Asociuar në Universitetin e Amsterdamit. Ngjarja u mbajt, më 16 Shkurt 2024, në kampusin e UNI dhe u thellua në çështjet kritike lidhur me “Drejtësinë pas tranzicionit dhe luftën e Kosovës.”

Në këtë tryezë diskutimi, Dr. Nevenka Tromp vuri në pah, në një kuptim më të gjerë, ngjarjet vendimtare për Kosovën, me fokus në luftën në Kosovë, dhe ndërlikimet e drejtësisë ndërkombëtare. Duke u mbështetur në përvojën e saj të gjërë kërkimore dhe shkencore, Dr. Tromp zbërtheu këto tema komplekse. Me një qasje ndërdisciplinore, ligjëratën e saj ofroi pjesëmarrësve njohuri në dimensionet politike, shoqërore dhe ligjore të këtyre konflikteve.

“Serbia nuk pushoi kurrë së pretenduari aspirata territoriale në Kosovë dhe Bosnje, edhe pas tre dekadash gjenocidi të tmerrshëm”, tha Dr. Nevenka Trump, sot në fjalimin e saj në UNI – Universum International College. Ajo gjithashtu foli për mundësinë që Kosova të padis Serbinë për gjenocid, për faktin që bashkësia ndërkombëtare në vend se ta mbaj Serbinë përgjegjëse, zgjodhi rrugën që t’i barazojë të gjitha palët e që në fund përfundoi edhe me krijimin e Dhomave të Specializuara.

Si Profesoreshë e Asociuar në Universitetin e Amsterdamit, Dr. Tromp ka kushtuar karrierën e saj për të shqyrtuar ngjarje historike dhe implikimet e tyre. Dr. Nevenka Tromp, një akademike e dalluar, ka marrë doktoraturën e saj në Universitetin e Amsterdamit dhe ka qenë një pjesë e rëndësishme e Departamentit të Studimeve Evropiane. Kontributet e saj vazhduan ndërsa shërbeu si hulumtuese kryesore në Gjykatën Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë nga viti 2000 deri në vitin 2012, me fokus në gjyqin e Slobodan Milošević.Arritjet akademike të Trompit përfshijnë fusha të ndryshme si Politika e Europës Lindore, Drejtësia Penale Ndërkombëtare dhe Drejtësia Tranzicionale, siç dëshmon përmes botimeve të saj të shumta duke përfshirë analizën e thellë në lidhje me Kosovën në librin “Gjykimi i papërfunduar i Slobodan Millosheviq”.

Ligjërata dëshmon përkushtimin e UNI-së për të nxitur diskutime akademike në lidhje me ngjarjet historike të rëndësishme për Kosovën dhe për të promovuar njohuritë mbi ndikimin e tyre në shoqërinë moderne. Si një institucion lider arsimor në Kosovë, UNI ndihet krenar që organizon këtë diskutim frymëzues, duke ofruar studentëve, akademikëve dhe publikut një mundësi unike për t’u angazhuar me hulumtime dhe studime të nivelit të lartë.

UNI – Universum International College fuqizohet dhe menaxhohet nga Arizona State University, Universiteti më i madh publik në SHBA dhe #1 për inovacion.

Për më shumë informata rreth aktiviteteve të tilla,  kontaktoni +38344144062, [email protected] ose ndiqni UNI në Facebook dhe Instagram.

Të ngjajshme