IKShPK apel qytetarëve: Bartja e maskës nuk është turp, është trimëri

28 Tetor, 2020 - 6:51 pm

Numri i të infektuarve me virusin Covid-19 në Kosovë po vazhdon të rritet me shifra alarmuese. Vetëm në 24 orët e fundit, janë konfirmuar 281 raste të reja, duke e ngritur edhe më shumë numrin e rasteve aktive me koronavirus.

Kjo ka vënë në lëvizje edhe institucionet shëndetësore të Kosovës dhe jo vetëm.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë së Kosovës, përmes një komunikate u ka bërër apel qytetarëve që t’i bartin maskat dhe të mos e nënvlerësojnë virusin.

“Ju lutemi përmbajuni rekomandimeve! Mos e nënvlerësoni virusin! Pakujdesi na dërgon shumë shpejt në mbingarkesën e Institucioneve shëndetësore dhe shtimin e rasteve fatale. Asnjë vend në botë nuk ka kapacitete të mjaftueshme njerëzore dhe infrastrukturë spitalore të përballojë shtimin e rasteve për shkak të pa përgjegjësisë në mos zbatimin e rekomandimeve tashmë të vetme në mbarë botën: MASKA, DISTANCA, HIGJIENA!”, thuhet në komunikatën e IKShPK-së, raporton Insajderi.org.

Sipas IKShPK-së, në javët e fundit ka pasur rritje brëngosëse si pasojë e drejtëpërdrejtë e neglizhencës së qytetarëve për t’i respektuar masat.

“Sot janë konfirmuar 281 raste të reja me COVID-19. Ky është numër rekord deri tani. Numri i rasteve javën e fundit ka pësuar rritje brengosëse si pasojë e drejtëpërdrejtë e neglizhimit te masave. Që kur ka filluar lehtësimi i masave për disa aktivitete, kemi gjurmuar raste të reja të COVID-19 duke u shtuar rreziku të shpërthejnë vatra të reja epidemike në disa komuna të Kosovës dhe në institucione e degë të ekonomisë, për shkak të mos respektimit të distancës dhe mosmbajtjes së maskave”, thuhet në komunikatë.

IKShPK me tutje e ka quajtur sjellje të rrëzikshme, lëvizjen e qytetarëve kudo nëpër Kosovë ditëve të fundit.

“Këto ditë vërehet fluks i shtuar i lëvizjes së qytetarëve kudo nëpër Kosovë. Kjo është sjellje e rrezikshme dhe lehtësimi i lëvizjes nuk nënkupton mosrespektimin e rekomandimeve të Institutit Kombëtar dhe Ministrisë së Shëndetësisë. Pakujdesia e disa qytetarëve gjatë këtyre lëvizjeve dhe aktiviteteve, shton rrezikun e përhapjes së infeksionit përderisa virusi SARS-COV-2 është prezent dhe kështu mund të mbingarkohet sistemi shëndetësor me pasoja të pa parashikuara deri në shpërthim e që mund të paraqes rrezik për jetën e qytetarëve”, thuhet në njoftim.

Zbatimin e rekomandimeve të Institutit Kombëtar dhe Ministrisë së Shëndetësisë është obligim dhe duhet ta bëjë çdo qytetar i Republikës së Kosovës, që të ruajë veten, të afërmit dhe të tjerët.

“Instituti Kombëtar po përcjell me vëmendje situatën epidemiologjike me COVID-19 tashmë qe nëntë muaj pa ndërpre 24 orë. Apelojmë te qytetarët, institucionet publike e private, bizneset, gastronomia, që në mënyrë strikte të respektojnë distancën fizike, përdorimin e maskave, dezinfektimin dhe ajrosjen e lokaleve, duke pamundësuar përhapjen eventuale të infeksionit dhe shmangien e përhapjes në hapësirat e mbyllura”.

“Burimet e infeksionit janë të shpërndara në institucione publike, private, agjensi, shkolla e amvisëri të cilët kanë mund të infektohen kudo prej vendit të punës në institucione publike e private, gastronomisë, super-marketeve, ku pjesa dërmuese shihen pa maska në vende të punës”, theksohet në njoftim.

IKShPK ka bërë fajtor qytetarët për rrezikim të shëndetetit të tyre dhe të afërmve tjerë, me mos bartje të maskave.

“Si pasojë e mos bartjes së maskave nga ju, qytetarë të nderuar, po rrezikohet shëndeti i juaj dhe i qytetarëve të tjerë dhe po rëndohet situata e përgjithshme epidemiologjike që po mbahet nën kontroll me mund të madh të ekipeve të profesionistëve të Institutit Kombëtar. Pakujdesia e juaj shton rrezikun e përhapjes së infeksionit përderisa virusi SARS-COV-2 është prezent dhe kështu mund të mbingarkohet sistemi shëndetësor me pasoja të pa parashikuara deri në shpërthim e që mund të paraqes rrezik për jetën e qytetarëve”, thuhet me tutje në njoftimin e IKShPK-së.

Instituti me tutje u ka bërë thirrje qytetarëve që t’iu përmbahen rekomandimeve të tyre, sepse e kuptojnë nevojën e tyre për shërbime të përditshme.

“Përpjekja e madhe e përbashkët e derisotme mund të na shkojë huq për shkak të pakujdesisë së mos përmbajtes së tri rregullave themelore, të cilat duhet të jenë përditshmëri e jona edhe pa pandemi, e që nënkupton: mbajtjen e distancës fizike, mbajtjen e maskave dhe larjen e duarve me kujdes disa herë në ditë, për 20-30 sekonda”.

“Çdo shkelje e rregullave nga kushdo do të konsiderohet rrezikim i shëndetit dhe jetës së të tjerëve. Nuk ka të drejtë askush të rrezikojë jetën e të afërmve të tyre, të moshuarve dhe personave me sëmundje kronike për shkak të pakujdesit dhe mos zbatimit të rekomandimeve”, theksohet në njoftim.

IKShPK ka thënë se Inspektoratet sanitare të AUV-it dhe Inspektoratet komunale bashkë me shtabet komunale duhet patjetër të zbatojnë Ligjin Anti COVID-19, Ligjin për Inspektoratin dhe Ligjin për parandalimin e sëmundjeve ngjitëse, duke u mbështetur në Manualin për luftimin e COVID-19 dhe të merren masa përgjegjësie në çdo rast të mos zbatimit eventual të rekomandimeve të Institutit Kombëtar./ KultPlus.com

Të ngjajshme