Italia e gatshme t’i ndihmojë Kosovës në zhvillimin ekonomik

25 Korrik, 2020 - 6:58 pm

Ambasada e Italisë në Prishtinë ka organizuar webinar-in me temën “Kosova, Partneriteti dhe Mundësitë – Forcimi i partneritetit publiko-privat mes Kosovës dhe Italisë veri-lindore përtej Covid-19”.

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Vesel Krasniqi, ka thënë se Kosova është duke krijuar mjedis të përshtatshëm të të bërit biznes.

Ai në fjalën e tij drejtuar të pranishmëve ka thënë se vendi është i hapur për biznese, duke shtuar se sektori privat ka rol kyç në fuqizimin e ekonomisë.

“Kosova është e hapur për bizneset dhe për këtë arsye ka ndërmarrë veprime të rëndësishme për krijimin e një mjedisi të favorshëm të biznesit duke transpozuar ligje, rregullore dhe praktika të rëndësishme evropiane në legjislacionin tonë vendor. Me nënshkrimin e marrëveshjes së MSA-së në prill 2016, Kosova ka marrë përsipër reformën ekonomike, politike dhe harmonizimin e rrugës së zhvillimit të vendit me atë të integrimit evropian. Jam i bindur që takimi i sotëm do të na japë ide të rëndësishme se si të forcojmë dhe thellojmë marrëdhëniet bilaterale”, ka thënë ai.

Ndërkaq ambasadori i Italisë në Kosovë, Nicola Orlando, ka thënë se popullsia e re e Kosovës është e drejtuar fuqishëm nga Evropa, pjesë e së cilës, siç thotë ai, është në aspektin kulturor.

“Pavarësisht zhvillimeve të shpejta tipike për të gjitha demokracitë e reja, Kosova sot është një vend i qëndrueshëm dhe me zhvillim të shpejtë. Një realitet i ri dhe dinamik, i karakterizuar nga një prani e fortë dhe e strukturuar e institucioneve italiane, që ofron mundësi të rëndësishme për ata që duan t’i shfrytëzojnë”, ka thënë ai.

Nënsekretari i Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar Ivan Scalfarotto theksoi vëmendjen e institucioneve italiane ndaj Kosovës, që shprehet edhe me punën e ICE-s, Institutit të Kulturës dhe mbi të gjitha kontingjentin e parë ushtarak në mbështetje të misionit të NATO-s përmes KFOR-it, i angazhuar që nga vitit 1999 në garantimin e stabilitetit në zona të rëndësishme të vendit.

“Italia i kushton rëndësi strategjike procesit të stabilizimit të Ballkanit perëndimor dhe në veçanti të Kosovës,” deklaroi nënsekretari. /Koha.net /KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme