Italia merr mbrapsht mozaikun antik të vjedhur gjatë Luftës së Dytë Botërore

21 Korrik, 2025 - 8:00 pm

Një mozaik dymijëvjeçar, i cili ishte vjedhur nga një oficer nazist, është kthyer në Itali më shumë se 80 vjet pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.

Mozaiku do të vendoset në një ekspozitë në qytetin antik të Pompeit, pranë Napolit, i cili u mbulua nga hiri vullkanik në vitin 79 pas Krishtit, pas shpërthimit të Vezuvit, bëri të ditur drejtori i zonës arkeologjike, Gabriel Zuchtriegel.

“Çdo artefakt i vjedhur që kthehet është si një plagë që shërohet”, u shpreh Zuchtriegel.

Mozaiku i punuar me imtësi paraqet një burrë dhe një grua me veshje romake në një pozë intime në një dhomë gjumi.

Sipas muzeut, mozaiku ka të ngjarë të vijë nga rajoni rreth vullkanit Vezuv dhe mund të ketë zbukuruar dikur dyshemenë e një dhome gjumi. Mendohet se punimi  është krijuar në shekullin I para ose pas Krishtit.

Sipas forcës së karabinierëve për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore, mozaiku ka përfunduar në mënyrë të paligjshme në zotërim të një anëtari të Wehrmacht-it gjatë pushtimit gjerman të Italisë.

Mozaiku u rikthye në Itali në shtator përmes konsullatës së Përgjithshme italiane në qytetin gjerman jugperëndimor të Shtutgartit.

Pas armëpushimit mes Italisë dhe forcave aleatëve në shtator 1943, Wehrmacht-i gjerman pushtoi pjesë të mëdha të vendit. Ky pushtim 20-mujor u shënua nga dhuna, ndërsa një numër i madh veprash arti dhe objektesh kulturore u zhdukën nga koleksionet publike apo vendet arkeologjike./KultPlus.com

Të ngjajshme