Jasharaj: Të shtunën s’do të ketë mësim për t’i kompensuar orët e humbura, Nagavci veproi njëanshëm

13 Tetor, 2022 - 12:22 pm

Sindikata e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës ka mbajtur konferencë të jashtëzakonshme për media, ku është folur për çështjen e kompensimit të orëve të humbura gjatë kohës sa mësimdhënësit ishin në grevë.

Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, tha se këtë të shtunë nuk do të mbahet mësim.

“Lidhur me kompensimin e orëve të humbura në greë duhet të theksoj se ishte vendim i ngutshëm i ministres Nagavci, e cila nuk respektoi kontratën kolektive të arsimit që është nënshkruar nga MASHTI dhe SBASHK-u më 22 janar 2021. Neni 34, pika 8 e thotë qartazi, orët e humbura gjatë grevës nuk zëvendësohen veç nëse palët nënshkruese arrijnë marrëveshje të veçantë. Nagavci solli vendim të njëanshëm, SBASHK-u është i oblioguar ta respektojë kontratën kolektive dhe e themi publikisht këtë të shtunë nuk do të ketë mësim në emër të kompensimit të orëve të humbura në grevë.”

Jasharaj tha se presin nga MASHTI që t’i ftojë në takim.

Ai deklaroi se “uniteti i SBASHK-ut po e pengon qeverinë”.

“Anëtarët e SBASHK-ut e duan SBASHK-un. Te ai rezultati që e patë edhe ju, mbase qeveria ishte gëzuar dhe ka pritur që kur të fillojë mësimi, pas pezullimit të grevës, kjo përqindja që ka deklaruar kundër pezullimit të grevës mbase do të reagojë dhe nuk do të shkojë në shkollë. Më 3 tetor të gjithë punëtorët e arsimit ishin në sallën e arsimtarët. Ky unitet i SBASHK-ut po e pengon qeverinë, por e ka të kotë, ky unitet nuk thyhet. Nëse MASHTI nuk thirr në takime, ku mund të bisedohet edhe me palë tjera, ne prapë do të jemi të obliguar ta mbrojmë kontratën kolektive, neni 34, pika 8”, tha ai. /Express/ KultPlus.com

Të ngjajshme