12 Maj, 2025 - 2:46 pm
Nën sloganin ‘Asnjë hap mbrapa’, Java e Krenarisë në Kosovë këtë vit do të mbahet prej 9 – 14 qershor, për vitin e nëntë të saj.
“Asnjë Hap Mbrapa” përfaqëson angazhimin tonë për të qëndruar të fortë ndaj lëvizjeve globale që po përpiqen të minojnë të drejtat e njeriut, barazinë gjinore dhe dinjitetin themelor të të gjithë individëve pa dallim. Përballë rritjes së urrejtjes, diskriminimit dhe përpjekjeve për të fshirë identitetet tona, ne nuk do të tërhiqemi. Ne nuk do të heshtim. Ne nuk do të fshihemi. Kjo Javë e Krenarisë është një rikujtim se ne, personat LGBTQI+ në Kosovë, kemi bërë rezistencë dhe arritje të mëdha, dhe pavarësisht pengesave që hasim, përparimi ynë nuk do të kthehet mbrapsht.
Rezistenca jonë është e fuqizuar nga bashkimi, dhe ne ecim përpara, së bashku, me vendosmërinë që “Asnjë Hap Mbrapa” është po aq për mbrojtjen e pozitës tonë, sa është për refuzimin për të lejuar dikë që të na kthejë në hije. Tema e këtij viti lind nga diskursi aktual lokal dhe global, ku kundërshtimi ndaj të drejtave të personave LGBTQI+ dhe drejtësisë gjinore kërcënon vetë progresin për të cilin kemi luftuar për ta arritur. Ajo mishëron premtimin tonë për të qëndruar të fortë/a përballë këtyre kërcënimeve—jeta jonë nuk është e negociueshme. Ne nuk do të frikësohemi, dhe nuk do të shkojmë askund. Lëvizja jonë është e rrënjosur në qëndrueshmëri, në besimin se lufta për barazi dhe drejtësi nuk mund të kthehet pas.
“Asnjë Hap Mbrapa” është angazhimi ynë i palëkundur për të vazhduar përpara, pa marrë parasysh ndryshimet sociale ose politike që sfidojnë ekzistencën tonë. Do të luftojmë gjithmonë për të drejtat tona, për shoqëritë tona, dhe për përparimin tonë kolektiv që të mbetet i papenguar. Java e Krenarisë e këtij viti është një deklaratë e fuqishme që ne nuk do të dorëzohemi para atyre që kërkojnë të na marrin të drejtat që i kemi fituar me mund. Është thirrja jonë për veprim—të qëndrojmë së bashku, të mos kemi frikë, dhe të vazhdojmë të luftojmë për botën që na takon. Ne do të vazhdojmë të rezistojmë dhe të luftojmë për një shoqëri ku çdo njeri mund të jetojë i/e lirë dhe me dinjitet të plotë.
Gjatë ditëve në vazhdim ne do të zbulojmë edhe të tjera detaje rreth Javës së Krenarisë 2025./KultPlus.com