Java Ndërkombëtare e Shkencës dhe Paqes

9 Nëntor, 2023 - 6:00 pm

OKB ka shpallur datat 9-15 nëntor si Javën Ndërkombëtare të Shkencës dhe Paqes.

Kjo javë u festua për herë të parë në vitin 1986 si pjesë e kremtimeve të Vitit Ndërkombëtar të Paqes.

Bazuar në suksesin e vitit 1986, organizatorët vazhduan përpjekjet e tyre në vite të njëpasnjëshme dhe u ra dakord që “Java Ndërkombëtare e Shkencës dhe Paqes” të mbahet çdo vit gjatë javës në të cilën bie 11 Nëntori.

Asambleja e Përgjithshme u kërkoi Shteteve Anëtare dhe organizatave ndërqeveritare dhe joqeveritare që të inkurajojnë institucionet, shoqatat dhe individët përkatës të sponsorizojnë ngjarje dhe aktivitete që lidhen me studimin dhe shpërndarjen e informacionit mbi lidhjet midis përparimit në shkencë dhe teknologji dhe ruajtjen e paqes dhe sigurisë. Nga shtetet anëtare kërkohet të nxisin bashkëpunimin ndërkombëtar midis shkencëtarëve.

Java inkurajon shkëmbime më të mëdha akademike mbi një temë me rëndësi universale, duke gjeneruar gjithashtu një ndërgjegjësim më të madh për marrëdhëniet e shkencës dhe paqes midis publikut të gjerë./atsh/KultPlus.com

Të ngjajshme