Ka vdekur arkeologu i njohur, Fatos Tartari

9 Mars, 2023 - 11:08 am

Ka vdekur sot, në moshën 85 vjeçare arkeologu i njohur, Fatos Tartari. Vdekja e tij ka ardhur për shkaqe natyrale.

Mësohet se homazhet për Tartarin mbahen ditën e nesërme.

Tartari lindi në Durrës, ku kreu edhe shkollën e mesme. Studimet e larta i përfundoi në Fakultetin e Histori-Filologjisë, të Universitetit Shtetëror të Tiranës, në vitet 1957-1961.

Karrierën e tij e nisi në mësimdhënie gjatë viteve 1962-1970, në shkollat e mesme të qytetit të Lezhës (2 vite) dhe më tej në Shkollën Bujqësore të Golemit (Kavajë), duke dhënë një kontribut të çmuar në përgatitjen dhe edukimin e disa brezave që studiuan në këto shkolla.

Në vitin 1970 nisi kontaktet e para me arkeologjinë kur filloi punë si punonjës shkencor në Muzeun Arkeologjik të Durrësit. Nëpërmjet studimit didaktik, pjesëmarrjes në ekspedita kërkimore dhe njohjes së gjuhëve të huaja, arriti që brenda një viti të realizonte në mënyrë të pavarur sondazhet dhe gërmimet e para arkeologjike, duke i publikuar pa humbur kohë rezultatet e tyre./abcnews.al / KultPlus.com

Të ngjajshme