Kadare rikthehet në qytetin e lindjes: Është bërë si Parisi

19 Dhjetor, 2021 - 1:38 pm

Padyshim njëri ndër shkrimtarët më të vlerësuar ndonjëherë në gjithë shqiptarinë, Ismail Kadare, ka vizituar së fundmi qytetin edhe ku ka lindur, Gjirokastrën, shkruan KultPlus.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, i shoqëroi familjen e Kadares, ku u shëtitin në gjithë qytetin për të parë se sa i bukur ishte aty, sidomos me zbukurimet e fundvitit.

“Kënaqësia e patregueshme e shëtitjes mbrëmësore me shkrimtarët: Helena dhe Ismail Kadare. Bashkë me Flamur Golemin në sokakët e qytetit të gurtë me shkrimtarin që i kushtoi “Kronikën” më të bukur letrare Gjirokastrës së tij, Gjirokastrës time, Gjirokastrës sonë. Sa më pëlqen kur thotë: “Është bërë Gjirokastra si Paris” se rëndësi ka si i ndjen gjërat”, thekson Kumbaro.

Gjirokastra vitet e fundit ka pësuar një transformim rrënjësor. E njohur për shtëpitë e veta karakteristike, çatitë prej guri dhe muret e bardha, Gjirokastra është një nga pikat kryesore të turizmit në vend. Kalaja e gurtë dhe parku i Antigonesë vazhdojnë të ngelen më të preferuarat për t’u vizituar nga grupet turistike vendase dhe të huaja përgjatë guidave dhe udhëtimeve të tyre në zonën e Gjirokastrës.

Ismail Kadare, shkrimtar i madh i letrave shqipe dhe jo vetëm, lindi më 28 janar të vitit 1936 në Gjirokastër. Nga “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, që e bëri të njohur në gjithë botën, në “Daullet e shiut”, veprat e tij më të zhytura në natën e legjendës ballkanike janë “Kush e solli Doruntinën” apo “Ura me tri harqe” apo ato me frymëzime të së tashmes si “Tri këngë zie për Kosovën”.

Në vitin 1996, Kadare u pranua anëtar për jetë i Akademisë së Shkencave Morale dhe Politike në Francë. Në vitin 1992 u vlerësua me Prix Mondial Cino Del Duca; në 2005 fitoi Man booker International Prize dhe në vitin 2009 mori çmimin Prince of Asturias për Artet. Shkrimtari shqiptar Ismail Kadare ka fituar Çmimin “Jeruzalemi” për vitin 2015. Ai u konsiderua me këtë rast shkrimtari që i dha shprehje lirisë njerëzore në librat e tij.

Në 13 maj 2016, Presidenti i Republikës, Bujar Nishani i akordoi shkrimtarit të shquar “Dekoratën e Flamurit Kombëtar”. /KultPlus.com

Ismail Kadare: Letër presidentit George Bush

Të fundit

Të ngjajshme