Kalaja e Lezhës, rritet me 24% numri i vizitorëve

12 Janar, 2024 - 7:00 pm

Numri i vizitorëve vendas e të huaj, është rritur edhe në Kalanë e Lezhës. DRTK Shkodër dha lajmin e mirë se kalaja është vizituar nga 24% më shumë turistë vendas e të huaj, krahasuar me një vit më parë. Sipas statistikave gjatë vitit 2022, Kalaja e Lezhës u vizitua nga 3467 persona, ndërsa në periudhën 1 janar-31 dhjetor 2023, u regjistruan 4552 vizitorë më shumë.

DRTK Shkodër ftoi të eksplorohet kjo kala e mbushur me histori dhe pamje pamje të mahnitshme.

Kalaja e Lezhës ngrihet në lindje të qytetit në majë të një kodre me lartësi 186 metra. Ajo ka origjinë ilire dhe dokumentohet se ishte në listën e rindërtimeve të mëdha të Perandorit ilir Justiniani i Madh. Në vitin 1440 Kalaja iu nënshtrua një rindërtimi të ri nga venedikasit, ndërsa në vitin 1522 pas pushtimit osman u rindërtua edhe prej tyre. Në Kala mund të vërehen me lehtësi gjurmë të arkitekturave ilire, romake, bizantine dhe osmane. Në këtë Kala, objektet më interesante për tu vizituar janë rrënojat e ndërtesave osmane, xhamia, kulla në murin juglindor me një hark romak dhe kulla ilire në murin jugor.

Prej Kalasë shihet një pamje mjaft e bukur e fushës së Lezhës dhe e detit Adriatik. Kalaja e qytetit antik të Lezhës rrethohet nga mure të periudhave të ndryshme që vijojnë nga antikiteti shek.IV p.k me emrin qyteti i lashtë i Lisit. Këto janë mure të fuqishme me blloqe të mëdha guri.  Në kështjellë ka tri porta, dy të parat janë ndërtuar në vendet ku ishin portat e qytetit antik të Lisit./KultPlus.com

Të ngjajshme