Kino Rinia u kthehet qytetarëve të Prishtinës

28 Prill, 2023 - 3:55 pm

Kino Rinia, e ndërtuar në Prishtinë qysh në vitin 1956, ka qenë qendër e takimeve kulturore, ku janë mbajtur edhe mbrëmje letrare, teatrore e tubime sociale.

Kjo ndërtesë ikonike tashmë është nën menaxhimin e Komunës së Prishtinës dhe së shpejti asaj do t’i kthehet funksioni i dikurshëm.

Kryekomunari i Prishtinës, Përparim Rama, ka falënderuar nënkryetaren Donjeta Sahatçiu dhe organizatën Shtatëmbëdhjetë, të cilat organizuan këtë aktivitet të veçantë, si dhe Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit për bashkëpunimin.

Vite më parë, Kino Rinisë, rrezikoi t’i ndërrohej destinacioni, por organizata të kulturës në bashkëpunim me institucionet arritën që ta mbanin larg transformimit të saj në objekt tregtar. Ndërtesa është e pozicionuar në zemër të qytetit, por prej më shumë se 20 vjetësh pothuaj e braktisur.

Objekti për katër dekada pati rolin e një prej hapësirave kryesore kulturore në kryeqytet duke bërë bashkë filmbërës e filmdashës, duke inspiruar gjenerata të tëra për filmin dhe përtej. Kino Rinia 1 dhe Kino Rinia 2, bashkë me kinemanë verore akomodoi qindra shikues në ditë, me shfaqje të filmave vendor, rajonal e botëror. Vlera e këtij objekti shkon përtej filmit, duke u cilësuar si “strehe” apo “arratisje nga përditshmëria”. Po ashtu edhe një pjesë shumë e rëndësishme e Kino Rinia është roli që pati në procese të ndryshme shoqërore. / atsh / KultPlus.com

Të ngjajshme