займ на карту онлайн потребительский кредит

KOMF: Një Kryeministër për Fëmijët!

28 Janar, 2021 - 9:49 am

Pandemia Covid-19 ka rënduar edhe më shumë gjendjen e fëmijëve në Kosovë, e sidomos atë të fëmijëve të cenueshëm, ku shumë fëmijë kanë mbetur pa shërbime. Periudha e zgjatur e izolimit dhe kushtet e rënda të jetesës kanë ndikuar në rritjen e përdorimit të dhunës ndaj fëmijëve, rritjen e numrit të fëmijëve pa kujdes prindëror dhe përkeqësimin e gjendjes së fëmijëve me aftësi të kufizuara.

Kriza dhe masat e izolimit kanë ndikuar në përgjithësi në përkeqësimin e shëndetit mendor të fëmijëve, prandaj mbështetja e tyre është tejet e rëndësishme dhe e domosdoshme.

Si Koalicion për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve, ju paraqesim faktet rreth situatës së fëmijëve në Kosovë si dhe nevojën emergjente që një qeverisje e mirë t’i adresojë ato!

ULJA E VARFËRISË TE FËMIJËT

22.8% e fëmijëve në Kosovë, jetojnë në varfëri, përderisa 7.2% jetojnë në varfëri ekstreme! Ligji për Asistencën Sociale përmban kritere diskriminuese për fëmijët duke përjashtuar kështu një pjesë të madhe të familjeve në nevojë nga kjo skemë. Shuma mujore e ndihmës sociale është shumë e vogël për të përballuar kushtet elementare të jetesës për një familje. Kosova nuk aplikon shtesat për fëmijë, i cili është dëshmuar si një nga instrumentet më efektive për zbutjen e varfërisë dhe pabarazisë tek fëmijët.

Kërkojmë:

Reformimin e politikave sociale për zbutjen e varfërisë:

Largimin e kriterit diskriminues dhe të papranueshëm në kuadër të Ligjit për Asistencë Sociale, ku përcaktohet që familja duhet të ketë të paktën një fëmijë nën moshën 5 vjeç për të përfituar nga skema e asistencës sociale.

Rritjen e shumës mujore së ndihmës sociale për të përballuar kushtet elementare të jetesës për familje.

Aplikimin e shtesave për fëmijët.

PËRFSHIRJA E FËMIJËVE ME AFTËSI TË KUFIZUARA NË SHKOLLA DHE SIGURIMI I QASJES NË SHËRBIME

8% e fëmijëve të moshës 2 – 17 vjeç në Kosovë, janë raportuar të kenë vështirësi funksionale të paktën në një fushë. Vetëm 10% e fëmijëve me aftësi të kufizuara në Kosovë përfitojnë nga shërbimet shëndetësore dhe sociale. Nga 43.000 fëmijë me aftësi të kufizuara, vetëm 5,300 vijojnë mësimin në shkolla publike të rregullta në Kosovë.

Kërkojmë:

Ndërmarrjen e masave që të gjithë fëmijët me aftësi të kufizuara të përfshihen në shkollë, të kenë qasje në shërbimet shëndetësore dhe sociale.

Punësimin e asistentëve mbështetës në shkolla për fëmijët me aftësi të kufizuara, si dhe sigurimin e transportit.

Largimin e barrierave fizike në çdo mjedis.

MBROJTJA E FËMIJËVE NGA DHUNA DHE PUNËT E RËNDA

72% e fëmijëve nga 1 deri në 14 vjeç raportohet të jenë të disiplinuar me dhunë (presion psikologjik dhe/ose ndëshkim fizik). 5% e fëmijëve janë të përfshirë në punë!
Kërkojmë:

Ndërmarrjen e të gjitha masave për zbatimin e Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijës, i cili ka hyrë në fuqi në 2020.

MBROJTJA E FËMIJËVE NGA DUHANI DHE DROGA

Duhani dhe drogat po dëmtojnë rëndë shëndetin e fëmijëve! Ligji për Duhanin nuk po zbatohet. Programet për rehabilitim janë tërësisht në mungesë.

Kërkojmë:

Ndërmarrjen e masave për zbatimin e menjëhershëm të Ligjit për Duhanin. Krijimin e programeve parandaluese dhe rehabilituese për fëmijët viktima të abuzimit me substanca narkotike.

INVESTIMI NË ZHVILLIMIN NË FËMIJËRINË E HERSHME

15% e fëmijëve të moshës 3 – 4 vjeç vijojnë programet për edukim në fëmijëri të hershme. Këto të dhëna tregojnë që pjesa dërrmuese e fëmijëve në Kosovë në vitet e para rriten në mjediset familjare, kryesisht me prindërit apo kujdestarët, pa ndonjë mbështetje institucionale.

Kërkojmë:

Krijimin e programeve për mbështetjen e prindërve dhe kujdestarëve për zhvillimin në fëmijërinë e hershme.

Hapjen e institucioneve të reja parashkollore.

RRITJA E CILËSISË NË ARSIM DHE KRIJIMI I AMBIENTEVE MIQËSORE PËR FËMIJËT NË SHKOLLA

Programi për vlerësim ndërkombëtar të nxënësve “PISA” ka radhitur Kosovën në vendin e 76, në mesin e 78 shteteve të cilat i janë nënshtruar vlerësimit, duke rezultuar me nivel të ulët të cilësisë në arsim. Dhuna fizike dhe psikologjike vazhdon të përdoret nga mësimdhënësit në shkolla si mjet disiplinimi. Dhuna po vazhdon të përdoret edhe në mes të bashkëmoshatarëve.

Kërkojmë:

Rritjen e investimeve për rritjen e cilësisë në arsim dhe zbatim efikas të të gjitha ligjeve që rregullojnë gjithëpërfshirjen dhe qasjen në arsim, parandalimin e braktisjes dhe parandalimin e dhunës në shkolla.

SIGURIMI I QËNDRUESHMËRISË SË SHËRBIMEVE SOCIALE

Ofruesit e shërbimeve sociale shpesh rrezikojnë mbylljen e shërbimeve si pasojë e mos financimit të qëndrueshëm. Me mbylljen e shërbimeve fëmijët e cenueshëm mbesin pa strehim dhe shërbime duke u cenuar rëndë të drejtën themelore për mbrojtje. Vetëm 1% e buxhetit total të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale ndahet për shërbime sociale.

Kërkojmë:

Procedimin sa më shpejt të miratimit të Projekt Ligjit për Financat e Pushtetit Lokal, i cili parasheh krijimin e Grantit Specifik për Shërbime Sociale për të garantuar financim të qëndrueshëm të shërbimeve sociale.

Krijimin e një skeme të qëndrueshme për kontraktimin e shërbimeve sociale dhe familjare nga sektori jo-qeveritar.

Rritjen e pragut të minimumit të financimit për shërbimet sociale të ofruara nga sektori joqeveritar, në mënyrë që të përmbushen nevojat e qytetarëve për shërbime sociale.

KUJDESI NDAJ SHËNDETIT MENDOR TË FËMIJËVE

Situata e jashtëzakonshme e shkaktuar nga pandemia Covid-19, izolimi dhe kushtet e rënda të jetesës, në përgjithësi kanë ndikuar në përkeqësim të shëndetit mendor të fëmijëve duke rritur pasigurinë e frikën dhe duke cenuar ekuilibrat emocional të tyre.

Kërkojmë:

Rritjen e numrit të psikologëve në shkolla, me qëllim të fuqizimit të mbështetjes emocionale të nxënësve dhe të kujdesit ndaj shëndetit mendor të tyre.

RRITJA E CILËSISË SË SHËRBIMEVE SHËNDETËSORE

Investimet në sektorin e shëndetësisë në Kosovë, janë ndër më të ulëtat në rajon. Shpenzimet nga xhepi i qytetarëve janë të larta, kjo në mungesë edhe të fondit për sigurime shëndetësore. Furnizimi me barna vazhdon të mos jetë i rregullt, duke rrezikuar seriozisht shëndetin e fëmijëve.

Kërkojmë:

Krijimin e planeve konkrete, politikave të nevojshme dhe investimeve për rritjen e cilësisë së shërbimeve shëndetësore, implementimin e fondit për sigurime shëndetësore, sigurimin e qëndrueshmërisë së fondit për trajtimin e fëmijëve me sëmundje të rënda që kërkojnë shërim jashtë vendit, sigurimin që barnat nga lista esenciale nuk do të mungojnë asnjëherë.

TRANSPARENCË NË BUXHETIMIN PËR FËMIJËT

Në Kosovë mungojnë proceset transparente dhe të qasshme për të garantuar në mënyrë efektive përfshirjen e qytetarëve dhe sidomos fëmijëve në procesin e buxhetimit.

Kërkojmë:

Deklarimin e buxhetit në mënyrë transparente në fushat të cilat prekin fëmijët dhe mbrojtjen e fëmijëve, duke bërë të njohur investimet në fushën e arsimit, shëndetësisë, mirëqenies sociale dhe drejtësisë për të mitur.

Proceset transparente dhe të qasshme për të pasur pikëpamjet e fëmijëve dhe prindërve në procesin e buxhetimit.

RRITJA E LLOGARIDHËNIES

Llogaridhënia në fushën e mbrojtjes së fëmijëve mbetet shumë e ulët, qoftë në fushën e shërbimeve sociale, shëndetësisë apo arsimit. Mungojnë mekanizmat e pavarur inspektues për të shqyrtuar cilësinë e ofrimit të shërbimeve. Njësitet e inspektimit veprojnë në kuadër të ministrive, pra nuk janë të pavarura dhe ato funksionojnë me kapacitete shume të kufizuara.

Kërkojmë:

Krijimin e mekanizmave të qëndrueshëm dhe të pavarur të inspektimit për cilësinë e ofrimit të shërbimeve në fushën e shëndetësisë, arsimit dhe mirëqenies sociale.

Fuqizimi i tyre përmes rritjes se kapaciteteve është hapi tjetër që do ndikonte në rritjen e llogaridhënies.

PËRFSHIRJA SOCIALE E FËMIJËVE NGA KOMUNITET ROM, ASHKALI DHE EGJIPTIAN

Vetëm 38% e fëmijëve që jetojnë në komunitete janë vaksinuar plotësisht. Vetëm 8% e fëmijëve të moshës 3 – 4 vjeç që jetojnë në komunitetet Rom, Ashkali dhe Egjiptian vijojnë programet për edukim në fëmijëri të hershme. 84% e fëmijëve ndjekin shkollën fillore, 64% ndjekin shkollën e mesme të ulët dhe 31% ndjekin shkollën e mesme të lartë. 1 në 3 gra dhe 1 në 10 burra nga komunitetet të moshës 20–24 vjeç janë martuar para moshës 18 vjeç.

Kërkojmë:

Rritjen e vaksinimit për imunizimin e fëmijëve që vinë nga komunitet Rom, Ashkali dhe Egjiptian.

Përfshirjen në shkolla të fëmijëve nga komunitetet Rom, Ashkali dhe Egjiptian.

Ndërmarrjen e masave për parandalimin e martesave nën moshën 18 vjeç. / KultPlus.com

Të ngjajshme