Komuniteti shqiptar i Worcester feston 100 vjetorin e marrdhenieve Shqipëri-SHBA

31 Korrik, 2022 - 8:00 pm

Me rastin e 100 vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes SHBA-ve dhe Shqipërisë nën kujdesin e Ambasadores Floreta Luli-Faber, u organizua një aktivitet festiv nga Albanian Community of Worcester të shtetit Massachusets dhe u mbështet nga Worcester Historical Museum.

Një përzgjedhje fotografish mbi 100 vjeçare mundësuan kthimin në kohë, dhe sollën historitë e një komuniteti sa të vjetër aq dhe vital që prej më shumë se një shekulli. Kryetari i Bashkisë së Worcester Joe Petty, pasi përshëndeti aktivitetin, i dorëzoi Ambasadores Faber Çelësin e Qytetit, në shenjë mirënjohje për mbështetjen dhe bashkëpunimin e treguar ndaj komunitetit shqiptar në Worcester.

Festimet kulmuan me një koncert madhështor të mbajtur në sheshin ‘Skënderbej’. Atmosfera festive dhe mijra vetë që mbushën sheshin, treguan dhe një herë që lidhja mes popujve tanë ka në themel një miqësi dhe dashuri të pa kushtëzuar.

Shqipëria mbetet gjithmonë mirënjohëse për partneritetin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe mbështetjes së vazhdueshme ndaj popullit tonë. /diasporashqiptare.al /KultPlus.com

Të ngjajshme